Një ngjarje e rëndë që ka tronditur opinionin publik ka marrë fund ligjërisht sot, pasi Gjykata e Beratit ka dënuar me burg Armando Kumarakun dhe Natasha Rombulën, për shfrytëzimin e një djali të mitur për përfitime monetare në rrjetin social TikTok. Kumaraku, babai i të miturit, u dënua me 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa gjyshja e tij, Natasha Rombula, me 2 vjet e 3 muaj burg.
Seanca e zhvilluar këtë të martë, ku ishin të pranishëm gjyshja dhe babai i të miturit, përfundoi me një vendim të rëndësishëm nga gjyqtarja Lumturi Zhupa. Përveç dënimit me burg, Kumarakut iu hoq edhe e drejta e prindërimit mbi djalin e tij 10-vjeçar.
Ngjarja e bujshme, që tronditi mbarë opinionin publik, u zbulua pas denoncimit të ish-bashkëshortes së Kumarakut. Në videot e shpërndara në TikTok, gjyshja dhe babai i të miturit shfaqeshin duke e mësuar djalin të përdorte gjuhë banale, me qëllim tërheqjen e klikimeve dhe përfitimin e vlerave monetare.
“Të pandehurit kanë detyruar shtetasin e mitur A. K., të bëjë video dhe të dalë në rrjetin social “Tiktok” duke përdorur fjalë banale dhe fyese tepër të rënda edhe për persona të rritur jo më për moshën që ka viktima e veprës penale, duke e rënduar emocionalisht këtë të fundit me anë të kërcënimeve të bëra nga dy të pandehurit. Nga administrimi i pamjeve filmike shfaqen video, ku djali i mitur ka përdorur sjellje dhe fjalor të papërshtatshëm i nxitur nga të pandehurit babai dhe gjyshja.
Shtetasi A.K. ka deklaruar se shpesh herë ka pasur kërcënime fizike dhe psikologjike kur dilte në “Tik Tok” dhe babai i tij e kërcënonte gjatë gjithë kohës me thikë që ai të shfaqej në rrjetet sociale edhe pse ai shprehej se nuk kishte dëshirë edhe një pjesë të fjalorit që ai përdorte në këtë rrjet nuk ja dinte kuptimin dhe deklaron se e mësonte babai në prezencë të gjyshes. Dhënia e thikës të miturit me gjatësi 25 cm duke ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme, duke e ofenduar në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur me një fjalor shumë të rëndë ndaj tij dhe nënës së tij si dhe me goditje fizike kanë shkaktuar pasoja tek i mituri”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ky rast ka ngritur shqetësime të mëdha mbi shfrytëzimin e fëmijëve në rrjetet sociale dhe mbi nevojën për mbrojtjen e të miturve nga abuzimet e tilla. Vendimi i gjykatës është parë si një hap i rëndësishëm drejt ndëshkimit të përgjegjësve dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Foto nga Google Images


