Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar me një mesazh të qartë dhe të prerë ndaj disa iniciativave të individëve brenda PS-së, të cilët pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit kanë kërkuar rinumërime votash ose verifikime për rezultatin e votës preferenciale.
Xhemal Qefalia, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Frrok Gjini, etj, të cilët kanë depozituar shkresat në KQZ ku kërkojnë pamjet filmike të numërimit të votave.
Në një mesazh të shpërndarë në komunikim të brendshëm me strukturat e partisë, ne grupin e kandidateve ne WhatsApp, Rama shprehet i shqetësuar për përpjekjet e disa kandidatëve të pakënaqur që po kërkojnë filmime, rinumërime dhe hetime të tjera për votën individuale, duke e konsideruar këtë sjellje si të dëmshme dhe të panevojshme.
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale… Natyrisht s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por do të këshilloja që të mos i hyhet kësaj rruge,” – thuhet në mesazhin e Ramës.
Ai thekson se me diferencat e qarta të votave, është e pamundur që të ketë devijime në përmasa të tilla që do të ndryshonin rezultatin:
“Me gjithë ata sy mbi ekrane, nuk ka asnjë shans, zero, që të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë.”
Mbështetje për komisionerët socialistë
Në mesazh, Rama mbron qartë punën e komisionerëve socialistë dhe numëruesve që, sipas tij, kanë dhënë një kontribut të pakontestueshëm:
“Të kërkosh rinumërime, do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi… Nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi.”
Kritikë e hapur ndaj “qenërisë mediatike”
Në një ton ironik dhe të drejtëpërdrejtë, Rama e përmbyll mesazhin me një paralajmërim për pasojat publike të këtyre veprimeve:
“Përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenërinë mediatike, kur në fund mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!”
Mesazhi i kryeministrit synon të mbyllë çdo debat të brendshëm që mund të minojë integritetin e rezultatit të zgjedhjeve dhe të ruajë unitetin brenda PS-së në një moment kur partia është duke analizuar të ardhmen dhe përgatitur ristrukturime pas rezultatit të 11 majit.
Ja mesazhi i plote:
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!
Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.” – thuhet në SMS-në e Ramës.
“Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.
E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!” – thuhet në mesazhin e Ramës.
Foto nga Google Images


