23.6 C
Sterling Heights
03/09/2026, 0:20
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Kurti dhe Abdixhiku takohen sërish për presidentin, në pikëpyetje marrëveshja për Bekim Sejdiun

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetKurti dhe Abdixhiku takohen sërish për presidentin, në pikëpyetje marrëveshja për Bekim...

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sërish të mërkurën me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për ngërçin e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Takimi vjen pas zhvillimeve të fundit brenda LDK-së, ku gjashtë deputetë kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut, emër për të cilin Vetëvendosje dhe LDK-ja ishin dakorduar më 31 gusht si kandidat të përbashkët për president.

Deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun janë Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri.

Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdixhiku ka bërë të qartë se qëndrimi i gjashtë deputetëve e vështirëson ndjeshëm zbatimin e marrëveshjes politike me Vetëvendosjen dhe mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Nga ana tjetër, Kurti tha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes se deputetët e tij janë në mbështetje të kandidaturës së Sejdiut. Megjithatë, sipas llogaritjeve të bëra publike, refuzimi i gjashtë deputetëve të LDK-së e ul numrin maksimal të votave që mund të sigurohen në 74, duke lënë një mungesë prej gjashtë votash për kuorumin prej 80 votash që kërkohet në dy raundet e para. 

Kurti ka deklaruar se marrëveshja politike me Abdixhikun mbetet ende në fuqi, por situata e krijuar kërkon konsultime të reja. Pas takimit me Abdixhikun, ai ka vijuar kontaktet me përfaqësues të komuniteteve joserbe në Kuvend, ndërsa ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet për të shmangur zgjedhjet e reja.

Marrëveshja për kandidaturën e Bekim Sejdiut u arrit më 31 Gusht, pas javësh negociatash mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Zgjedhja e presidentit konsiderohet një hap kyç për tejkalimin e ngërçit institucional në Kosovë, por kundërshtimi i brendshëm në LDK e ka vënë marrëveshjen në rrezik.

Tani për tani, mbetet e paqartë nëse Kurti dhe Abdixhiku do të arrijnë të sigurojnë votat e nevojshme për Sejdiun apo nëse Kosova do të përballet sërish me skenarin e zgjedhjeve të parakohshme.

Foto nga Google Images

Artikulli përgatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img