Ministria e Mbrojtjes njoftoi se deri në orën 20:00 të së martës janë evidentuar gjithsej 24 vatra zjarri në të gjithë vendin. Gjashtë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa pesë të tjera janë nën monitorim të vazhdueshëm.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 mjete zjarrfikëse. Mbështetje po ofrojnë edhe Forcat e Armatosura, me 20 efektivë, një helikopter dhe dy avionë të tipit “Air Tractor”.
Mali i Dajtit mbetet zona kryesore e ndërhyrjes. Vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës vijojnë të jenë aktive, ndërsa në terren po punojnë 40 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 20 pjesëtarë të Forcave të Armatosura dhe 7 forca nga Administrata e Zonave të Mbrojtura. Operacionet po mbështeten edhe nga ajri.
Sipas autoriteteve, aktualisht zjarret në këtë zonë nuk përbëjnë rrezik për banorët apo zonat e banuara.
Në qarkun e Dibrës mbeten aktive vatrat në Ballenjë, ku janë angazhuar pesë forca të ADZM-së, si dhe në Qafë të Helmës në Bulqizë, zonë e cila po mbahet nën kontroll dhe monitorohet nga katër efektivë të MZSH-së. Edhe në këto raste nuk raportohet rrezik për banesat.
Një vatër është riaktivizuar edhe në Malin e Dardhës në Librazhd, duke përfshirë një sipërfaqe pyjore prej rreth 7-8 hektarësh. Forcat zjarrfikëse të Librazhdit po vijojnë punën në terren, ndërsa nuk ka rrezik të raportuar për zonat e banuara.
Situata në aksin Gjegjan-Gojan-Prozhëm-Tërbun, në Pukë, paraqitet më e stabilizuar, pasi vatrat janë izoluar dhe aktualisht nuk ka zjarre aktive. Në zonë po vijon vetëm monitorimi.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe institucionet e tjera përgjegjëse, po ndjek zhvillimet në të gjithë territorin. Forcat operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


