Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, ka njoftuar sot, më 20 gusht 2026, zgjerimin e programit të saj “Fostering the Future”, një nismë që synon t’u krijojë mundësi arsimore dhe profesionale të rinjve që kanë kaluar nëpër sistemin e kujdesit familjar në SHBA.
Në një fjalim të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Melania Trump theksoi se talenti dhe merita nuk duhet të kufizohen nga rrethanat ekonomike apo nga kushtet e vështira të jetës. “Fostering the Future” synon pikërisht këtë: t’i ndihmojë të rinjtë të kapërcejnë pengesat dhe të kenë mundësinë të ndërtojnë një të ardhme të pavarur.
Sipas Zonës së Parë, misioni i programit është që çdo i ri nga komuniteti i kujdesit familjar të ketë mundësinë të ndjekë arsimin universitar, të ndërtojë një karrierë me kuptim dhe të arrijë pavarësi të qëndrueshme financiare.
Gjatë ceremonisë së sotme, IndyCar dhe Fox Corporation njoftuan një donacion prej 2 milionë dollarësh, i cili do të financojë bursa të reja në Indiana University dhe Purdue University. Me këtë zgjerim, rrjeti kombëtar i nismës “Fostering the Future” shtrihet tashmë në 26 institucione akademike.
Programi bazohet në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump në nëntor 2025 dhe synon të forcojë mundësitë për arsim, zhvillim profesional dhe kalimin drejt pavarësisë për të rinjtë që largohen nga sistemi i kujdesit familjar.
Njoftimi i sotëm shënon një tjetër hap të rëndësishëm në nismën e Melania Trump për të vendosur arsimin dhe pavarësinë ekonomike në qendër të mbështetjes për këta të rinj.

Foto nga White House profile
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


