Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë të ditur se primaret do të mbeten pjesë e procesit për përzgjedhjen e kandidatëve të opozitës për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
I pyetur nëse Partia Demokratike ka marrë ndonjë vendim për heqjen e këtij mekanizmi, Berisha e mohoi kategorikisht një mundësi të tillë.
“Jo, nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, Partia Demokratike po hyn në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe procesi pritet të marrë formë konkrete në një periudhë të afërt.
Në qendër të vëmendjes do të jetë gara për Bashkinë e Tiranës, ku ende nuk është marrë një vendim për emrin që do të përfaqësojë opozitën. Berisha nuk përjashtoi as mundësinë që kandidati të vijë nga jashtë strukturave tradicionale të Partisë Demokratike, duke theksuar se gjithçka do të qartësohet në javët në vijim.
Duke iu përgjigjur interesit për emrin e Ilir Alimehmetit, i përmendur si një nga figurat e mundshme për garën në kryeqytet, Berisha vlerësoi rolin dhe profilin e tij, por shmangu dhënien e një përgjigjeje përfundimtare për kandidaturën.
“Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i PD dhe i qytetit të Tiranës. Gjithçka do përcaktohet në javët e ardhshme”, tha Berisha.
Kryedemokrati komentoi gjithashtu zhvillimet dhe debatet brenda Partisë Socialiste lidhur me zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Duke iu referuar deklaratave të deputetit Erion Braçe për një kandidim të mundshëm, Berisha e cilësoi situatën si pjesë të përplasjeve të brendshme në kampin socialist.
“Kjo është një luftë e brendshme midis tyre në klan”, u shpreh ai.
Kështu, ndërsa afron viti zgjedhor, Partia Demokratike duket se po përgatitet të hapë garën për kandidatët, me Tiranën që pritet të jetë një nga betejat kryesore politike të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


