Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndërmarrë një ofensivë të re kundër të ashtuquajturit “turizëm i lindjeve”, duke revokuar më shumë se 600 viza të shtetasve të huaj gjatë muajit të fundit.
Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se masa është pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të goditur rrjetet që, sipas autoriteteve amerikane, shfrytëzojnë sistemin e vizave për të mundësuar udhëtimin në SHBA me qëllim lindjen e fëmijëve dhe përfitimin e shtetësisë amerikane për ta.
“Shtetësia amerikane nuk është në shitje”, shkroi Rubio në platformën X.
Ai akuzoi rrjete të organizuara se përfitojnë nga ligjet amerikane duke u ofruar të huajve udhëzime se si të mashtrojnë sistemin e vizave, duke organizuar udhëtimin dhe akomodimin, e në disa raste edhe duke përdorur dokumente të falsifikuara.
“Departamenti i Shtetit do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të çmontuar rrjetet e turizmit të lindjeve dhe për të mbrojtur integritetin e shtetësisë amerikane”, deklaroi Rubio.
Departamenti i Shtetit ka krijuar Birth Tourism Prevention Task Force, një njësi që synon të identifikojë dhe të godasë rrjetet e dyshuara të “turizmit të lindjeve”.
Sipas autoriteteve amerikane, task-forca analizon informacionet për mbajtësit e vizave dhe bashkëpunon me agjenci të tjera federale, përfshirë Departamentin e Sigurisë Kombëtare, për të identifikuar raste të dyshuara.
Në vetëm një muaj, kjo njësi ka ndërmarrë masa që kanë çuar në revokimin e më shumë se 600 vizave për shtetas të huaj nga vende të ndryshme të botës. Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë.
Çfarë është “turizmi i lindjeve”?
Me termin “birth tourism”, autoritetet amerikane i referohen rasteve kur një shtetas i huaj udhëton në SHBA, kryesisht me synimin për të lindur fëmijën në territorin amerikan.
Qeveria amerikane e konsideron problem veçanërisht kur viza turistike përdoret në mënyrë mashtruese ose kur aplikantët fshehin qëllimin e vërtetë të udhëtimit. Departamenti i Shtetit thekson se vizat mund të revokohen kur ka të dhëna që tregojnë se mbajtësi nuk është më i përshtatshëm për ta mbajtur atë.
Fushata kundër “turizmit të lindjeve” vjen në kuadër të politikave më të ashpra të administratës së Presidentit Donald Trump ndaj imigracionit dhe shtetësisë amerikane.
Më 6 Gusht, Trump nënshkroi urdhra ekzekutivë që synojnë kufizimin e “turizmit të lindjeve” dhe ndryshimin e mënyrës se si administrata trajton çështjen e shtetësisë nga lindja. Këto politika janë pjesë e një beteje më të gjerë ligjore dhe politike mbi birthright citizenship, pra shtetësinë e fituar nga lindja në territorin amerikan.
Administrata Trump argumenton se rrjetet që organizojnë “turizmin e lindjeve” abuzojnë me sistemin amerikan të imigracionit. Ndërsa debati mbi kufijtë e shtetësisë nga lindja mbetet një çështje e rëndësishme kushtetuese dhe ligjore në SHBA.
Mesazhi i administratës amerikane është i qartë: kontrollet ndaj vizave do të forcohen dhe personat apo organizatat që dyshohen se mashtrojnë sistemin do të përballen me masa të mëtejshme.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


