Marco Rubio është pritur këtë të enjte në një takim zyrtar nga Papa Leo XIV në Vatikan, në një moment kur marrëdhëniet mes administratës amerikane dhe Selisë së Shenjtë po kalojnë një periudhë tensionesh diplomatike.
Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik dhe zgjati rreth dy orë e gjysmë, duke përfshirë edhe bisedime me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin. Sipas komunikatës së Selisë së Shenjtë, palët riafirmuan “angazhimin e përbashkët për të kultivuar marrëdhënie të mira dypalëshe” mes SHBA-së dhe Vatikanit.
Bisedimet u fokusuan tek konfliktet ndërkombëtare, tensionet politike dhe situatat humanitare në disa rajone të botës, me theks të veçantë tek Lindja e Mesme, Afrika dhe Kuba. Vatikani theksoi nevojën për të “punuar pa u lodhur për paqen”, ndërsa Rubio deklaroi se SHBA dhe Selia e Shenjtë ndajnë të njëjtin angazhim për promovimin e dinjitetit njerëzor dhe lirisë fetare.
Vizita e Rubio-s vjen pas javësh tensionesh publike mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Papa Leo XIV. Papa ka kritikuar ashpër luftën kundër Iranit dhe politikat e ashpra anti-emigracion të administratës amerikane, ndërsa Trump e ka sulmuar publikisht Pontifin, duke e akuzuar se po “rrezikon katolikët” dhe se është “i dobët” në politikën ndërkombëtare.
Sipas mediave ndërkombëtare, takimi i Rubio-s në Vatikan shihet si një përpjekje diplomatike për të ulur tensionet mes Uashingtonit dhe Selisë së Shenjtë, ndonëse Departamenti Amerikan i Shtetit ka insistuar se vizita ishte pjesë e marrëdhënieve normale diplomatike.
Në fund të takimit pati edhe një shkëmbim simbolik dhuratash. Rubio i dhuroi Papës një top kristali futbolli amerikan me stemën e Departamentit të Shtetit, ndërsa Papa Leo i dhuroi Sekretarit amerikan një stilolaps prej druri ulliri, simbol tradicional i paqes.


