Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimin e Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit në fushën e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Në podcastin “Flasim”, Rama u shpreh se fakti që Tirana u zgjodh për të pritur një platformë të tillë globale ishte i paimagjinueshëm vite më parë, kur Shqipëria konsiderohej ende një vend me institucione të dobëta dhe me mungesë besimi në sistemin e drejtësisë.
Kongresi Botëror i Ligjit u zhvillua në Tiranë më 6 dhe 7 maj, i organizuar nga World Jurist Association në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë. Në aktivitet morën pjesë gjyqtarë ndërkombëtarë, akademikë të së drejtës, përfaqësues institucionesh europiane dhe figura të njohura të jurisprudencës botërore.
Sipas Ramës, zgjedhja e Shqipërisë si mikpritëse lidhet drejtpërdrejt me reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, të cilin ai e cilësoi si një nga sfidat më të vështira dhe historike të shtetit shqiptar. Kryeministri deklaroi se për dekada me radhë shqiptarët kishin humbur besimin tek drejtësia, pasi pushteti politik dhe forca kishin dominuar mbi ligjin. Ai tha se në dhjetë vitet e fundit është bërë një përpjekje e madhe për të ndërtuar “një vend të qeverisur nga ligji dhe jo nga forca”.
Në ceremoninë hapëse të kongresit morën pjesë edhe figura të rëndësishme ndërkombëtare, mes tyre presidenti i World Jurist Association, Javier Cremades, ish-komisionerja europiane për drejtësinë Viviane Reding, si dhe presidenti i European Court of Human Rights, Mattias Guyomar, i cili përcolli një mesazh video mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rolit të gjykatave në kohë konfliktesh.
Gjykatësi shqiptar në Strasburg, Darian Pavli, foli gjatë panelit të nivelit të lartë për procesin e vettingut në Shqipëri, çështjet kushtetuese dhe vonesat në sistemin gjyqësor, duke theksuar rëndësinë e forcimit të institucioneve të pavarura.
Megjithatë, zhvillimi i këtij kongresi vjen në një kohë kur debati mbi drejtësinë në Shqipëri mbetet i fortë. Muajt e fundit, qeveria e Ramës është përballur me kritika dhe tensione politike pas hetimeve të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe protestave të opozitës, e cila akuzon mazhorancën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, Rama ka mbrojtur reformën dhe ka deklaruar se procesi i ndërtimit të institucioneve të forta kërkon kohë dhe mbështetje europiane.
Kongresi Botëror i Ligjit konsiderohet si një etapë përgatitore për organizimin e edicionit të plotë të këtij eventi në Shqipëri në vitin 2027, duke e vendosur Tiranën në qendër të diskutimeve ndërkombëtare mbi sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Ndërkohë, për shumë qytetarë shqiptarë, Kongresi Botëror i Ligjit mund të ketë qenë edhe një rast i mirë për të mësuar se ku ndodhet realisht “shteti i së drejtës”, sepse në përditshmëri vazhdojnë të përballen me procese të zvarritura, dosje që pluhurosen nëpër sirtarë dhe drejtësi që shpesh duket sikur punon vetem për të fortët. Në fund, Shqipëria mund të presë kongrese ndërkombëtare për ligjin, por qytetarët ende presin ditën kur ligji të mbërrijë edhe tek ata, e jo vetëm tek sallat luksoze të konferencave.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


