Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka kthyer për plotësim kërkesëpadinë e paraqitur nga Mereme Sela, e cila kërkonte pezullimin e procesit zgjedhor për kreun e Partia Demokratike.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, padia është vlerësuar brenda afateve ligjore, por pas shqyrtimit të dokumentacionit është konstatuar se aktet e depozituara kishin mangësi procedurale. Për këtë arsye, gjykata vendosi kthimin e akteve me të meta, duke i lënë paditëses të drejtën për ankimim në Gjykatën e Apelit.
Në padinë e saj, Sela kërkonte shpalljen të pavlefshme të vendimit për skualifikimin nga gara për kryetare të PD-së, rikthimin në procesin zgjedhor, si dhe shpalljen të pavlefshme të kandidimit të Sali Berisha. Po ashtu, ajo kërkonte edhe pezullimin e menjëhershëm të zgjedhjeve të planifikuara për 23 maj 2026, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Padia u depozitua vetëm pak ditë pasi Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD vendosi skualifikimin e saj nga gara, me argumentin se nuk përmbushte kriteret statutore për kandidim.
Vendimi i gjykatës nënkupton se, për momentin, procesi zgjedhor në Partinë Demokratike vijon normalisht, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Sela do ta ndjekë çështjen në shkallët e tjera të gjyqësorit.
“Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Doma Civile, në datën 06.05.2026, është paraqitur kërkesa me Paditëse Mereme Sela me objekt: “1. Shpallja e pavlefshme absolute e vendimit për skualifikimin e paditëses nga gara për Kryetar të PDSHse; 2. Detyrimi i palës se paditur për rikthimin e paditëses në garë; 3. Shpallja e pavlefshme absolute e kandidimit të Sali Berisha; 4. Konstatimi i shkeljes së rëndë të statutit dhe parimeve të demokracisë së brendshme; 5. Vendosja e masës së sigurimit të padisë: pezullimi i menjëhershem i procesit zgjedhor të datës 23.05.2026 deri në përfundim të gjykimit”. Gjykata ka marrë në shqyrtim brenda afatit ligjor kërkesës e paraqitur, ka studiuar dhe vlerësuar aktet e paraqitura dhe në përfundim ka vendosur: “Kthimin e akteve me të meta, që i përkasin kërkesëpadisë, duke i dhënë paditëses të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas parashikimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e Shkallës së Parë.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


