20.1 C
Sterling Heights
29/10/2026, 20:08
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Veliaj kundërshton transferimin në burgun e Fierit: “U deshën 31 orë për të na thënë se vendimi është sekret”, kërkon autorizimin e Ramës

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetVeliaj kundërshton transferimin në burgun e Fierit: “U deshën 31 orë për...

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish pas transferimit nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit, duke kundërshtuar vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për klasifikimin e urdhrit të transferimit si “sekret shtetëror”.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Veliaj shprehet se autoriteteve iu deshën 31 orë për të bërë të ditur se vendimi ishte sekret. Sipas tij, mosvënia në dispozicion e aktit administrativ nuk e pengon vetëm njohjen me arsyet e transferimit, por edhe ushtrimin e së drejtës për ta kundërshtuar dhe ankimuar atë.

Veliaj e cilëson këtë mënyrë veprimi si kalim nga ajo që ai e quan arbitraritet në vendimmarrje drejt fshehjes së vendimit pas klasifikimit si sekret shtetëror.

Në qendër të reagimit të tij është edhe ligji për informacionin e klasifikuar. Veliaj i referohet nenit 12, sipas të cilit Presidenti dhe Kryeministri janë autoritete klasifikuese, ndërsa titullarët e institucioneve të tjera mund ta ushtrojnë këtë kompetencë në bazë të autorizimit përkatës.

Për këtë arsye, ai i kërkon Drejtorisë së Burgjeve të bëjë publike autorizimin e Kryeministrit Edi Rama, mbi bazën e të cilit institucioni ka të drejtë të klasifikojë dokumentin si sekret shtetëror.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar se transferimi është kryer në përputhje me procedurat ligjore dhe në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e institucioneve penitenciare. Sipas institucionit, urdhri i transferimit është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”, ndaj administrimi dhe vënia e tij në dispozicion u nënshtrohen rregullave të posaçme ligjore.

Drejtoria ka bërë gjithashtu të ditur se për transferimin është njoftuar edhe Prokuroria. Veliaj, ndërkohë, është vendosur fillimisht në seksionin e pranimit në burgun e Fierit, ku, sipas autoriteteve, është informuar për të drejtat dhe detyrimet e tij përpara sistemimit në sektorin e paraburgimit.

Përplasja mes Veliajt dhe Drejtorisë së Burgjeve tashmë nuk lidhet vetëm me transferimin nga Durrësi në Fier, por edhe me ligjshmërinë e klasifikimit të vendimit dhe të drejtën për të njohur aktin mbi të cilin është marrë kjo masë.

Kërkesa për publikimin e autorizimit të Kryeministrit e zhvendos debatin edhe në nivelin e përgjegjësisë institucionale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të japin sqarime të mëtejshme për bazën ligjore të këtij klasifikimi.

Postimi i plotë nga Veliaj

“U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!

Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë.

Ateherë kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i vendimmarrjes te fshehja e saj pas sekretit shtetëror!

Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues.“

 

Foto nga Google Images

Artikulli përgatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img