Presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump organizuan këtë të Enjte, më 29 Tetor, festimet tradicionale të Halloween-it në Shtëpinë e Bardhë, duke e kthyer lëndinën jugore të rezidencës presidenciale në një hapësirë festive, plot ngjyra, dekorime dhe atmosferë gëzimi.
Rreth 6 mijë të ftuar, mes tyre fëmijë dhe familje, morën pjesë në këtë aktivitet, ku Presidenti Trump dhe Melania u pritën me entuziazëm nga të vegjlit, të cilët kishin ardhur të veshur me kostume të ndryshme për festën e Halloween-it.
Presidenti dhe Zonja e Parë u angazhuan personalisht në shpërndarjen e ëmbëlsirave për fëmijët, duke u fotografuar me ta dhe duke ndarë momente të veçanta me familjet e pranishme.
Atmosfera u plotësua nga dekorimet tematike, kungujt gjigantë, simbolet karakteristike të Halloween-it dhe një instalacion ndriçues që paraqiste Hënën e Korrjes, i shoqëruar me silueta lakuriqësh nate. Muzika festive u interpretua nga grupi muzikor i Forcave Ajrore Amerikane.
Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte edhe kalimi i avionit të ri presidencial Air Force One mbi Shtëpinë e Bardhë, në dy raste gjatë festimeve. Trump ua vuri në dukje avionin fëmijëve, duke e kthyer edhe këtë moment në pjesë të atmosferës festive. Presidenti madje u shfaq duke kërcyer për pak çaste nën ritmet e muzikës së njohur të filmit “Ghostbusters”.
Në aktivitet morën pjesë edhe familje të personelit ushtarak, punonjësve të zbatimit të ligjit, familje kujdestare dhe adoptuese, si dhe përfaqësues të administratës amerikane.
Organizimi përfshiu edhe aktivitete edukative për fëmijët. U shpërndanë libra për ngjyrosje, paketa për eksperimente shkencore, kunguj të vegjël nga fermerët amerikanë dhe mollë të freskëta nga Michigan-i, ndërsa organizata të ndryshme kontribuuan me ëmbëlsira dhe aktivitete argëtuese.
Halloween-i në Shtëpinë e Bardhë është një traditë që u jep mundësi fëmijëve dhe familjeve të përjetojnë festën në një prej institucioneve më të njohura të Shteteve të Bashkuara.
Përtej protokollit dhe angazhimeve presidenciale, kjo mbrëmje solli një atmosferë familjare, ku fëmijët, kostumet kreative dhe buzëqeshjet zunë vendin kryesor. Donald dhe Melania Trump u bënë pjesë e festës, duke mirëpritur personalisht të ftuarit dhe duke ndarë me ta gëzimin e kësaj tradite amerikane.



Foto nga profili i The White House
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


