Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić ka deklaruar se procesi i integrimit të Kosovës në NATO nuk do të jetë i lehtë dhe se Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë çdo përpjekje për anëtarësimin e saj në aleancën ushtarake.
Duke folur për gazetarët në Pançevë, Vuçiq u shpreh se ekzistojnë pengesa politike brenda vetë NATO-s, duke përmendur faktin se disa vende anëtare nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovo.
“Mos harroni se ka katër vende anëtare të NATO-s dhe pesë vende të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të shkojë lehtë, por le të presim e të shohim,” deklaroi ai.
Sipas presidentit serb, këto ndarje në qëndrime brenda aleancave perëndimore e bëjnë më të ndërlikuar çdo proces të mundshëm të integrimit të Kosovës në NATO.
Beogradi zyrtar ka mbajtur prej vitesh një qëndrim kundërshtues ndaj pavarësisë së Kosovës dhe çdo hap që e afron atë me organizatat euro-atlantike. Kjo politikë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, pritet të vazhdojë të ndikojë në marrëdhëniet rajonale dhe në proceset e integrimit euro-atlantik në Ballkan.
Nga ana tjetër, mbështetësit e integrimit të Kosovës në strukturat perëndimore argumentojnë se ky proces është i lidhur me stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe forcimin e institucioneve demokratike në vend.
Debati mbi zgjerimin e NATO-s në Ballkan mbetet një nga çështjet më të ndjeshme gjeopolitike në rajon, me qëndrime të forta të ndara mes vendeve anëtare dhe aktorëve lokalë.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


