Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë publikisht përplasjen politike me Elisa Spiropalin, duke zgjedhur të mos hyjë në detaje mbi deklaratat e saj, gjatë një interviste në podcastin “Rishtazi”, me një gazetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
I pyetur nëse qëndrimet e Spiropalit mund të ndikojnë në mënyrën se si kuptohet situata politike brenda Partisë Socialiste, Rama fillimisht u përpoq ta shmangte diskutimin, duke argumentuar se nuk flet për çështje të brendshme politike shqiptare në media që operojnë në shtete të tjera.
Megjithatë, pas këmbënguljes së gazetarit, kryeministri bëri një deklaratë që tërhoqi vëmendjen, duke e cilësuar Spiropalin si një person tashmë të lirë në jetën politike.
“Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste”, u shpreh Rama.
Gazetari e pyeti më tej nëse deklaratat e ish-ministres mund të krijojnë një kundërshti me qëndrimet dhe masat që Rama kishte shpjeguar gjatë intervistës. Përgjigjja e kryeministrit ishte e përgjithshme, duke iu referuar së vërtetës dhe fakteve, pa dhënë një përgjigje konkrete mbi përmbajtjen e kritikave të Spiropalit.
“Asnjë kundërshti nuk e dëmton të vërtetën për sa kohë e vërteta flet për veten e vet. Asnjë kundërshti nuk i dëmton faktet për sa kohë faktet pozicionohen ashtu siç duhet”, deklaroi ai.
Më pas, Rama përdori një krahasim për të përshkruar ndikimin e kundërshtive në jetën politike, duke thënë se ato janë si erërat që vetëm e forcojnë pemën.
“Por, për sa u përket kundërshtive që janë rreth e rrotull, janë si ato erërat që vetëm e forcojnë pemën”, përfundoi kryeministri.
Megjithatë, deklarata më domethënëse e intervistës mbetet ajo për Spiropalin, pasi Rama nuk e trajtoi më si një figurë që duhet të ndjekë vijën politike të Partisë Socialiste, por si një person që tashmë ka lirinë të zgjedhë rrugën e vet politike.
Përplasja që po thellon krizën brenda PS-së
Komentet e Ramës vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes tij dhe Spiropalit kanë arritur në një pikë të re përplasjesh. Më 24 Nëntor, grupi parlamentar socialist votoi për përjashtimin e saj, ndërsa më herët ajo ishte larguar edhe nga forumet e partisë.
Spiropali, nga ana e saj, e ka kundërshtuar vendimin, duke e cilësuar të paligjshëm dhe arbitrar. Ajo ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetes dhe se betejën politike do ta vazhdojë brenda Partisë Socialiste. Madje, ka kërkuar hapjen e garës për drejtimin e partisë.
Në këtë kontekst, fjalia e Ramës se Spiropali nuk është më e detyruar ta ndjekë atë apo Partinë Socialiste merr një domethënie të veçantë. Ajo duket si një distancim i qartë nga ish-bashkëpunëtorja e tij, e cila për vite me radhë ka qenë pjesë e rëndësishme e strukturave drejtuese të PS-së.
Në vend që të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë për kritikat e saj, Rama zgjedh të flasë për të vërtetën, faktet dhe erërat që forcojnë pemën. Por përplasja me Spiropalin tashmë nuk është thjesht një debat mes dy figurave politike. Ajo është kthyer në një nga zhvillimet më të rëndësishme të krizës së brendshme të Partisë Socialiste.
Intervista është realizuar për emisionin “Rishtazi” të KohaCast dhe trajton edhe zhvillime të tjera politike në Shqipëri dhe rajon.
Pjesë nga intervista:
Gazetari: E di që jemi të kufizuar në kohë, por nuk mund të mos ju pyes edhe për deklaratat e Elisa Spiropalit. A mund të ndikojnë ato në një mënyrë tjetër të të kuptuarit të kësaj çështjeje?
Gazetari: Por audienca jonë i ndjek këto zhvillime.
Edi Rama: Nuk kam asnjë problem t’i ndjekin me të tjerët, por nuk flas për çështje të brendshme, sepse janë çështje të tjera.
Plus pastaj, Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste.
Gazetari: Pyetja ishte nëse këto deklarata mund të dëmtojnë gjithë atë që ju shpjeguat, pra masat që po merrni, kur duket sikur ka një kundërshti mes tyre dhe asaj që ju thoni.
Edi Rama: Asnjë kundërshti nuk e dëmton të vërtetën për sa kohë e vërteta flet për veten e vet.
Asnjë kundërshti nuk i dëmton faktet për sa kohë faktet pozicionohen ashtu siç duhet.
Dhe çdo kundërshti që pastaj dëmton është një arsye për të kuptuar se ku qëndron problemi me ne.
Por, për sa u përket kundërshtive që janë rreth e rrotull, janë si ato erërat që vetëm e forcojnë pemën.
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


