4.5 C
Sterling Heights
26/11/2026, 16:12
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Marta Kos në Tiranë: Korridori i 8-të, një lidhje strategjike për Europën – Thirrje investitorëve europianë të investojnë në Ballkanin Perëndimor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetMarta Kos në Tiranë: Korridori i 8-të, një lidhje strategjike për Europën...

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ndodhet në Shqipëri, ku po merr pjesë në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, një takim dyditor që zhvillohet në Tiranë më 25 dhe 26 Nëntor 2026.

Gjatë fjalës së saj në konferencë, Kos vuri theksin te rëndësia strategjike e lidhjeve të transportit dhe energjisë në rajon, duke veçuar në mënyrë të posaçme Korridorin e 8-të, i cili lidh Detin Adriatik me Detin e Zi dhe kalon përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ajo e cilësoi këtë korridor si një mundësi të rëndësishme jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë ekonomike dhe tregtare të Europës. Sipas saj, varësia nga një numër i kufizuar rrugësh transporti e bën Europën më të cenueshme përballë krizave dhe ndërprerjeve të zinxhirëve të furnizimit.

“Lidhjet e reja të transportit dhe energjisë janë të rëndësishme për të transportuar mallra. Europa është e cenueshme kur përballet me korridore të kufizuara. Korridori i 8-të, që lidh Adriatikun me Detin e Zi, është një korridor më i gjerë që lidh Europën me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, deklaroi Kos.

Komisionerja europiane theksoi se investimet në infrastrukturë duhet të shihen si pjesë e një strategjie më të gjerë për të forcuar lidhjet ekonomike, për të lehtësuar tregtinë dhe për të krijuar mundësi të reja për bizneset europiane dhe ato të rajonit.

1.5 miliardë euro mbështetje dhe 200 milionë euro investime të reja

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së Marta Kos iu kushtua mbështetjes financiare të Bashkimit Europian për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor.

Ajo bëri të ditur se mbi 1.5 miliardë euro mbështetje financiare e garantuar nga BE-ja po përdoret për të ulur rreziqet e investimeve dhe për të nxitur përfshirjen e kapitalit privat në rajon.

Gjithashtu, gjatë konferencës u njoftuan angazhime të tjera investimi prej rreth 200 milionë eurosh, përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe fondeve europiane të zhvillimit.

Sipas Kos, këto financime synojnë të ndihmojnë bizneset të zgjerohen, të krijojnë vende të reja pune dhe të ofrojnë më shumë mundësi ekonomike për qytetarët e rajonit.

SEPA, një tjetër përfitim konkret nga integrimi europian

Komisionerja foli edhe për përfitimet që vendet e Ballkanit Perëndimor po marrin nga afrimi ekonomik me Bashkimin Europian, edhe pa qenë ende anëtare të tij.

Ajo përmendi sistemin SEPA (Zona Unike e Pagesave në Euro), i cili u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë transferta në euro më shpejt dhe me kosto më të ulët.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Kos, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut po përfitojnë nga ky sistem, ndërsa kostot e transaksioneve janë ulur mesatarisht me 94%.

Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina mund t’i bashkohen gjithashtu pasi të përmbushin kushtet e nevojshme.

Në çfarë faze ndodhet Korridori i 8-të në Shqipëri?

Rëndësia e këtij projekti bëhet edhe më e qartë në kushtet kur Shqipëria po punon për zhvillimin e infrastrukturës së saj rrugore dhe hekurudhore.

Sipas Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2026, punimet në segmentet rrugore të Korridorit të 8-të nga Lekaj drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut janë në zhvillim.

Ndërkohë, për pjesën hekurudhore:

  • Segmenti Durrës–Rrogozhinë ndodhet në fazën e prokurimit.
  • Për segmentin Rrogozhinë–Pogradec po përfundon projektimi i detajuar.
  • Për pjesën nga Pogradeci deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut po përgatitet studimi i fizibilitetit për përcaktimin e lidhjes kufitare.

Këto të dhëna tregojnë se projekti është ende në faza të ndryshme zbatimi dhe përgatitjeje, pavarësisht rëndësisë që ka në strategjinë europiane të transportit.

Mesazhi i Marta Kos për investitorët

Në përfundim të fjalës së saj, komisionerja europiane u bëri thirrje kompanive dhe investitorëve europianë që të mos e shohin Ballkanin Perëndimor thjesht si një treg në zhvillim, por si një rajon me potencial për t’u integruar gjithnjë e më shumë në ekonominë europiane.

“Mesazhi im për investitorët europianë është i qartë: Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Shumë mundësi ekzistojnë që tani dhe ato do të shtohen me zgjerimin e aksesit në Tregun e Përbashkët dhe rritjen e fondeve europiane. Prandaj, shfrytëzojeni këtë mundësi”, ishte thirrja e saj.

Vizita e Marta Kos në Tiranë vazhdon edhe më 27 Nëntor, kur ajo do të marrë pjesë në takimin e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për ecurinë e Planit të Rritjes dhe zbatimin e reformave. Në program është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

Për Shqipërinë, Korridori i 8-të përfaqëson një mundësi strategjike që shkon përtej ndërtimit të rrugëve dhe hekurudhave. Ai synon ta lidhë vendin drejtpërdrejt me rrjetet kryesore tregtare europiane, duke e kthyer pozicionin gjeografik të Shqipërisë në një avantazh ekonomik për transportin, tregtinë dhe investimet ndërkombëtare.

“Bizneset dhe qytetarët po përfitojnë nga traksasione të thjeshta. Kostot janë më të ulta se më parë. Pasi të kenë përmbushur kushtet, Kosova dhe Bosnja do ti bashkohen SEPA. Lidhjet e reja të transportit dhe energjisë janë të rëndësishme për të transportuar mallra. Europa është e cënueshme kur përballet me korridore të kufizuara. Korridori i 8 që lidh Adriatikun me Detin e Zi është një korridor më i gjerë që lidh Europën, me BP dhe Turqinë. Shumë korridore janë në presion. BE po shton mbështetjen për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor. Gjatë ditëve të fundit ju e keni parë potencialin nga afër. Më shumë se 1.5 mld euro po ndihmon në uljen e rreziqeve të investimeve. 200 mln euro më shumë për investime për zhvillim të qëndrueshëm. Mundësitë ekonomike po shtohen. Mesazhi im për investitorët europianë është i qartë: shfrytëzoni mundësinë”, tha Kos.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img