E Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn u takua me Kryetaren e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Klotilda Bushka dhe Zëvendëskryetaren Dhurata Çupi për të diskutuar mbi prioritetet legjislative të Parlamentit.
Në një njoftim të bërë në faqen zyrtare të Facebook-ut të Ambasadës Amerikane, thuhet se ato theksuan rëndësinë e institucioneve të pavarura, natyrën kritike të reformës në drejtësi në Shqipëri dhe rolin jetik të shumicës dhe opozitës në nxitjen e një demokracie të shëndetshme dhe gjithëpërfshirëse.
Një ditë më parë Nancy VanHorn dhe kolegët e Ambasadës së SHBA që punojnë për forcimin e sektorit të drejtësisë u takuan me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
VanHorn ritheksoi rolin vendimtar që luan një Gjykatë Kushtetuese e pavarur në garantimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke mbështetur parimet demokratike dhe për të çuar më tej shtetin e së drejtës.
Gjatë takimit, E Ngarkuara me Punë VanHorn theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Gjykatën, ndërsa vazhdon punën e saj me integritet dhe profesionalizëm.
Këto takime vijnë në një moment trazirash në Kuvend e Komisione Parlamentare. Kujtojmë se edhe këtë të mërkurë mbledhjet e Komisioneve parlamentare nuk janë zhvilluar normalisht pas bojkotit të deputetëve të PD, ndërsa te “Etika” pati edhe përplasje, ku Flamur Noka shkuli mikrofonin duke detyruar Bushkën të mbyllje mbledhjen ku do të diskutohej për masën disiplinore të kërkuar nga grupi i PS për 24 deputetë të PD./lexo.al