Qeveria e Kosovës thotë se po i bëhet padrejtësi vendit me zvarritjen e shqyrtimit të aplikimit për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas ekzekutivit kosovar opinioni i BE-së ndaj këtij aplikimi dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm që duhet të merren nga unioni evropian.
Dy vjet nga aplikimi, në qeveri shpresojnë që presidenca hungareze e Këshillit të BE-së të trajtojë me seriozitet të merituar kërkesën e Kosovës. Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës akuzojnë qeverinë se s’ka punuar asgjë në integrimet evropiane, derisa këtë proces e ndërlidhin edhe me dialogun Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, njohësit e integrimeve evropiane janë skeptik se do të ketë vendim pozitiv nën presidencën e Hungarisë.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale.
“Ne mendojmë se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale. Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm të cilat duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe, dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, thekson Kadiu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Ai shton se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit-vend kandidat për anëtarësim në BE ishte si rezultat siç thotë ai i progresit të gjithmbarshëm dhe sinjal i fuqishëm i vullnetit, gatishmërisë dhe vendosmërisë për të bërë hapa përpara në procesin e integrimit evropian dhe rrugës drejt BE-së.
“Aplikimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetorin e para dy viteve, erdhi si rezultat i progresit të gjithmbarshëm që njohu vendi, i cili u pasqyrua bindshëm edhe në Raportin për Vendin për Kosovën 2022 të vetë Bashkimit Evropian. Gjithashtu, aplikimi ishte edhe një sinjal i fuqishëm i vullnetit, gatishmërisë, dhe vendosmërisë për të bërë hapa përpara në procesin e integrimit evropian dhe rrugës drejt BE-së. Tashmë 8 vite nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, kur shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë marrë atë menjëherë, në raste edhe pak javë pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje”, thuhet më tej në përgjigjen e Kadiut.
Mirëpo, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress se qeveria s’ka punuar asgjë për integrim evropian.
Marrjen e statusit të vendit-kandidat për anëtarësim në BE, ajo e ndërlidh edhe me dialogun Kosovë-Serbi.
“Me 15 dhjetor të këtij viti bëhen 2 vjet që nga aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne tashmë kemi masa nga Bashkimi Evropian sepse kjo qeveri s’ka punuar asgjë në integrim evropian. Sa i përket përkrahjes edhe pse jemi opozitë ne jemi gëzuar këtij aplikimi, mirëpo po shohim se kemi ngecje në procesin integrues sepse të gjitha proceset janë të lidhura me dialogun Kosovë-Serbi”, thotë ajo.
Në anën tjetër, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, është skeptik se do të ketë lëvizje nën presidencën hungareze për dhënien e statusit Kosovës si vend-kandidat për anëtarësim në BE.
Megjithatë, ai shton se edhe nëse Kosova merr dritën e gjelbër, anëtarësimi në BE në rrethana aktuale është i pamundur për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendeve të BE-së.
“Të dyja palët po luajnë një poker (ping-pong) me sy mbyllur. Është e kotë BE-ja çka po thotë, mirëpo edhe Kosova. Pa njohjen e Kosovës ne nuk mund të bëhemi anëtarë sipas Traktatit të Lisbonës. Kjo i bie që Këshilli i Evropës e autorizon komisionin evropian për me pa si është gjendja, por para se të merret vendimi duhet të kyçet edhe Parlamenti Evropian…Edhe nëse kushtimisht po themi se mund ta marrim statusin e vendit-kandidat, po themi mund të gjendet ndonjë vrimë por që të bëhemi anëtarë duhet gjithsesi aprovimi i 27 vendeve të BE-së, e kjo është misioni pamundur”, thekson Arifi.
Kosova ka aplikuar për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Aplikimi deri tani nuk është shqyrtuar nga asnjë vend që ka pasur presidencën e Këshillit Evropian, ndërkaq deri më 31 dhjetor 2024, presidencën e Këshillit e ka Hungaria.
Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE./kp/