Edi Rama u kthye nga SHBA: fjalimi për korrupsionin dhe heqja e b… menjane!
Edi Rama u kthye nga Shtetet e Bashkuara pas vizitës së tij në New York, ku mori pjesë në aktivitetet e javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Por në vend që kthimi të shënonte vetëm fundin e një vizite diplomatike, kryeministri zgjodhi ta përdorte momentin për një mbrojtje të gjatë politike ndaj akuzave për korrupsion, drejtësinë dhe mënyrën se si është ushtruar pushteti gjatë viteve të tij në qeverisje.
Në fjalimin e tij, Rama deklaroi se mund të ketë gabimet e veta, por mohoi kategorikisht të ketë përdorur pushtetin për të marrë para, prona apo favore të paligjshme. Ai foli edhe për orët dhe dhuratat e marra gjatë viteve si kryeministër, duke pretenduar se ato janë regjistruar si pasuri të shtetit dhe jo si pasuri personale.
Këto janë deklarata që mund të kontrollohen përmes dokumenteve zyrtare. Dhe pikërisht këtu duhet të qëndrojë standardi i një shteti demokratik: jo te fjala e kryeministrit, por te dokumentet, regjistrat, deklaratat e pasurisë dhe verifikimet institucionale.
Rama e ndërtoi një pjesë të rëndësishme të argumentit të tij mbi reformën në drejtësi dhe SPAK-un. Ai e paraqiti ekzistencën e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë si dëshmi se Shqipëria nuk është vendi i dikurshëm ku drejtësia kontrollohej nga pushteti politik.
Ka një pjesë të këtij argumenti që mbështetet edhe nga të dhënat ndërkombëtare. Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 vlerëson se SPAK ka vazhduar të japë rezultate në hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 SPAK hetoi 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, 18 çështje u dërguan në gjykatë dhe 10 persona morën vendime përfundimtare dënimi.
Por i njëjti raport europian përmban edhe pjesën që fjalimi politik i Ramës nuk e vendos në qendër.
Komisioni Europian thekson se korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në Shqipëri, ndërsa rreziqe të rëndësishme evidentohen në prokurimet publike, polici dhe sektorë të tjerë me risk të lartë. Raporti përmend gjithashtu shqetësime për përpjekje të ndikimit të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë dhe sulme ndaj magjistratëve.
Pra, ekzistenca e SPAK-ut dhe rezultatet e tij janë një realitet. Po aq real është fakti se lufta kundër korrupsionit nuk është një kapitull i përfunduar.
Kjo e bën edhe më problematike mënyrën se si Rama përpiqet ta vendosë veten në qendër të suksesit të drejtësisë. Në deklaratat e tij, ai e paraqet reformën në drejtësi si një proces që ai dhe Partia Socialiste ia dhanë Shqipërisë dhe si një sistem që tashmë është çliruar nga pushteti politik.
Por një drejtësi vërtet e pavarur nuk mund të jetë pronë politike e askujt. As e opozitës, as e mazhorancës dhe as e kryeministrit që ishte në pushtet kur u ngritën institucionet e reja.
SPAK duhet të ketë të drejtë të hetojë këdo. Edhe kundërshtarët e qeverisë, edhe njerëzit e qeverisë, edhe vetë njerëzit që kanë ndërtuar sistemin politik brenda të cilit vepron ky institucion.
Ky është standardi që duhet të kërkohet nga drejtësia shqiptare.
Rama foli gjatë edhe për të kaluarën, duke përmendur Gërdecin dhe 21 Janarin dhe duke e krahasuar Shqipërinë e sotme me Shqipërinë e viteve të mëparshme. Është e vërtetë se Shqipëria ka kaluar periudha të rënda të përplasjeve politike dhe të mosndëshkimit. Por krimet dhe dështimet e qeverive të mëparshme nuk mund të shërbejnë si certifikatë pastërtie për qeverinë e sotme.
Një qeverisje nuk pastrohet duke treguar gabimet e paraardhësve.
Çdo qeveri duhet të përgjigjet për periudhën e saj.
Kjo është edhe arsyeja pse debati për korrupsionin nuk mund të reduktohet në sloganin që Rama sulmoi në fjalimin e tij: “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion”.
Në një demokraci, akuzat nuk bëhen të pavërteta vetëm sepse përsëriten nga kundërshtarët politikë. Në të njëjtën mënyrë, ato nuk bëhen të vërteta vetëm sepse përsëriten çdo ditë në media. Përgjegjësia përcaktohet nga prova, hetimi dhe vendimi i gjykatës.
Por pikërisht për këtë arsye, një kryeministër duhet të jetë i pari që kërkon transparencë absolute.
Nëse dhuratat janë regjistruar si pronë e shtetit, dokumentet duhet ta tregojnë. Nëse pasuritë janë deklaruar sipas ligjit, regjistrat duhet ta konfirmojnë. Nëse kontratat publike janë të ligjshme, procedurat duhet të jenë të kontrollueshme. Nëse drejtësia është e pavarur, ajo duhet të ketë lirinë të hetojë edhe njerëzit pranë pushtetit pa presion politik.
Këto janë garancitë që i japin peshë një deklarate politike.
Në të kundërt, një fjalim i gjatë për pastërtinë personale mbetet vetëm një fjalim.
Rama thotë se është në politikë për të lënë emër dhe jo për të bërë pasuri, për të dhënë dhe jo për të marrë. Kjo është mënyra se si ai dëshiron të kujtohet nga publiku. Por historia politike nuk shkruhet vetëm nga fjalët e atij që qeveris. Ajo shkruhet nga dokumentet, vendimet e institucioneve, pasojat e politikave dhe përgjegjësia që çdo pushtet mban për veprimet e veta.
Shqipëria ka nevojë për një drejtësi që nuk i detyrohet askujt. Ka nevojë për institucione që nuk presin urdhra nga qeveria dhe as nga opozita. Ka nevojë për transparencë që nuk fillon vetëm kur pushteti vihet nën presion.
Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një standard ku askush nuk mund ta përdorë reformën në drejtësi si mburojë politike për veten.
Edi Rama u kthye nga Amerika duke kërkuar që shqiptarët të besojnë versionin e tij për pushtetin, drejtësinë dhe korrupsionin. Por besimi publik nuk fitohet duke e deklaruar veten të pastër. Fitohet kur institucionet janë aq transparente dhe të pavarura, saqë qytetari nuk ka nevojë t’i besojë verbërisht as kryeministrit, as opozitës.
Në fund, kjo është prova e vërtetë e një shteti ligjor: jo sa bukur flet pushteti për drejtësinë, por sa i lirë është pushteti të përballet me drejtësinë.
Ja pjese nga fjalimi i Rames:
” E përsëris, unë mund të kem fajet e mia me siguri, nuk jam ëngjëll e as i pagabueshëm nuk jam jo e jo. Por faji që me siguri absolute nuk kam bërë kurrë, është që të tregtoj për para a për prona, pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën e pastaj edhe Shqipërinë.
Kush më njeh e di mirë çfarë flas.
Kush ka përfituar të drejta kushtetuese zhvillimi të pronës a mundësi të ligjshme investimi, edhe falë firmës sime, e di po aq mirë se çfarë flas.
E di mirë çfarë flas po ashtu, kur ju them se pushteti im s’është përdorur kurrë për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme.
Sot në kryeministrinë e Republikës së Shqipërisë, ka një muze të dhuratave që merr kryeministri.
Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar apo me sqep sorrash e korbash në vend të buzëve, të cilët ndër plot jashtëderdhjet e tyre në mexhelisin e Shqipërisë, kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë, që unë e paskesha marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka thuajse një duzinë orash të shtrenjta e super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua, personalisht, jo nga kriminelë po nga miq të fuqishëm a vizitorë shumë të nderuar.
Por ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, me tërë dhuratat e tjera të tetë viteve të tij në zyrën e kryeministrit, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si kryeministër dhe çfarë më takon të kem si kryeministër, nuk vjen as për ta çuar në shtëpinë time, as për ta pasur edhe për veten time.
Prandaj për shembull privatisht unë udhëtoj gjithnjë njësoj si çdo shqiptar tjetër ose prandaj fjala vjen, makina ime merret me qera nga partia, nuk blihet nga kryeministria, përderisa përdoret edhe për udhëtime partie e jo vetëm qeverie.
Prapë e them, sinqerisht, me siguri unë i kam fajet e mia dhe në 28 vitet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të kem bërë madje shumë më tepër gabime se sa ato jo pak që unë i di vetes.
Por kurrë, asnjëherë, paraja, pronat apo favoret e çfarëdolloji kundër ligjit, nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë, unë jam për të dhënë jo për të marrë. Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin. Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë, jo deformuar vetveten.
E pikërisht për historinë, për emrin, për Shqipërinë, unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartësh, në tryezat më të larta.
E dua në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, me shtet ligjor e me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie e kryeministri pas meje.
Prandaj sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë:
Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar.
Dhe sado ta përsërisin, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, e vërteta eshtë se në asnjë vend të mbytur në korrupsion, nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Ka vetëm bashkëjetesë harmonike me korrupsionin.
Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, prokuroria nuk heton njerëzit e veshur me pushtet. I mbron ata.
Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, drejtësia nuk prek ministra, ish ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë apo njerëz të lidhur me shumicën qeverisëse, po vetëm rri dhe pret urdhrin e pushtetit për të goditur kundërshtarët e tij.
Vendin e mbytur në korrupsion dhe padrejtësi e kemi jetuar të gjithë.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër politik nga lart.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku protestuesit vriteshin me plumbat e paguar nga taksapaguesit për të mbrojtur atdheun, jo për të marrë jetën e shoshoqit.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku fletë-thirrjet e prokurorisë për përgjegjësit për vrasjet shtetërore, bëheshin letra higjenike për zyrën e kryeministrit, i cili e denigronte publikisht prokuroren e përgjithshme si lavire bulevardi, vetëm e vetëm pse ajo tentonte të bënte sadopak punën e vet.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku drejtori i taksave të republikës qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak dhe ku 26 të vrarë të pafajshëm në shpërthimin e një projekti korruptiv të ministrisë së mbrojtjes, u trajtuan si 26 viktima të një fatkeqësie natyrore.
E di që edhe sot e gjithë ditën ata katër të vrarë në bulevard nuk kanë marrë ende drejtësi.
E di gjithashtu, e di që çke me të , që me paratë e fabrikës së vdekjes në Gërdec u financua nga fajtorët e pahetuar ende gjermësot, ngritja e një lavatriçeje mediatike që kurdis sot e gjithë ditën ato “bombat çudibërëse” anti-qeveri, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”.
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


