15.6 C
Sterling Heights
21/09/2026, 13:49
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

EURODEPUTETJA WISELER-LIMA NGRE NË TIRANË ÇËSHTJEN E IMUNITETIT TË BALLUKUT: “A DO TË JETË REFORMA NË DREJTËSI E PAKTHYESHME?”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetEURODEPUTETJA WISELER-LIMA NGRE NË TIRANË ÇËSHTJEN E IMUNITETIT TË BALLUKUT: “A DO...

 

Çështja e Belinda Ballukut dhe vendimi i Kuvendit për të mos autorizuar arrestimin e saj u rikthye sot në vëmendjen e institucioneve europiane, gjatë takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, që po zhvillohet në Tiranë më 21 dhe 22 shtator.

Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima, duke folur për reformën në drejtësi dhe pavarësinë e institucioneve, vlerësoi publikisht punën e SPAK-ut, duke e cilësuar atë si një prej institucioneve që gëzon nivel të lartë besimi te qytetarët shqiptarë.

Por në të njëjtën kohë, ajo ngriti një çështje që prek drejtpërdrejt mënyrën se si funksionon marrëdhënia mes drejtësisë dhe Parlamentit: faktin që kërkesat për imunitetin e deputetëve kalojnë për vendimmarrje në Kuvend.

“SPAK-u është në fakt një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi”, tha Wiseler-Lima, duke shtuar se pavarësia e institucioneve nuk garantohet menjëherë.

Ajo theksoi se kërkesat për imunitetin vendosen në Parlament dhe se edhe anëtarët e këshillave të prokurorisë dhe gjyqësorit zgjidhen nga Kuvendi.

“Kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe pyetja është: a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, u shpreh eurodeputetja.

Deklarata vjen disa muaj pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut. Më 16 dhjetor 2025, SPAK i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin/heqjen e lirisë së Ballukut në kuadër të një procedimi penal lidhur me procedura prokurimi, përfshirë tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Më 12 mars 2026, kërkesa u rrëzua nga Kuvendi, me shumicën socialiste që votoi kundër autorizimit.

Çështja është rikthyer në qendër të debatit edhe pas zhvillimeve të fundit në hetimin ndaj Ballukut dhe sekuestrimit të një vile në Palasë, për të cilën mediat kanë raportuar se lidhet me hetimin e SPAK-ut. Ndërkohë, opozita ka kërkuar që SPAK t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë për autorizimin e arrestimit.

Në këtë kontekst, fjalët e Wiseler-Limës marrin një rëndësi të veçantë: çështja nuk mbetet vetëm një debat politik shqiptar për Belinda Ballukun, por lidhet me një pyetje më të gjerë që është pjesë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë — sa e pavarur është drejtësia dhe sa e mbrojtur është reforma në drejtësi nga ndërhyrjet politike?

Takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE ka në agjendë pikërisht çështje si shteti i së drejtës, të drejtat themelore, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e medias dhe ecuria e negociata be të anëtarësimit.

Dhe pikërisht në këtë tryezë europiane, çështja e imunitetit të një deputeteje shqiptare u kthye në një pikëpyetje mbi vetë funksionimin e reformës në drejtësi.

Pyetja e eurodeputetes mbetet e qartë: nëse reforma në drejtësi është e pakthyeshme, kjo duhet të garantohet jo vetëm në ligj, por edhe në mënyrën se si institucionet veprojnë në praktikë.

Kur isha në maj këtu si vëzhguese e zgjedhjeve, ju ishit në fushatë, e tani ju shoh këtu si kolegë dhe mund të flasim si parlamentarë me njëri-tjetrin. SPAK-u është në fakt një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi. Kjo është një nga format për të cilën është rënë dakord nga të dyja palët. Por megjithatë pavarësia nuk është se sigurohet menjëherë, pra kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu dhe çdo hetim dhe fillim i tyre do të vendosen këtu. Dhe ndërkohë anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit zgjidhen nga parlamenti. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe pyetja është a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, tha ajo.

Foto nga Google Images

Artikulli përgatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img