15.5 C
Sterling Heights
27/07/2024, 8:03
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Hapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetHapet Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias

I titulluar  “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, Pavijoni i Kosovës është hapur të enjten në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Instalacioni skulpturor i artistes Doruntina Kastrati adreson çështjen e punës së feminizuar brenda kontekstit të ekonomive të parregulluara.

Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

“Për shkak të natyrës së përsëritur dhe performimit të punës në këmbë në një fabrikë llokumesh në Prizren, pothuajse një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit me proteza metalike. Metali që iu futet në trup mbetet gjurmë e orareve të gjata të punës, me pagesë të ulët, të grave në industritë e lehta, në Kosovë dhe botë”, shkruhet në komunikatën e lëshuar pas hapjes.

Sipas komisioneres së pavijonit, Hana Halilaj, përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia i vendosur në oborrin e Muzeut Historik të Marinës spikat hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore, duke theksuar dinamikën e pushtetit, hierarkinë, çështjet e pëlqimit dhe përjashtimit.

“Kjo përpjekje nuk do të ishte e mundur pa kontributin e pakompromis dhe punën e palodhur të një ekipi dhe bashkëpunëtorësh të mrekullueshëm”, citohet të ketë thënë ajo.


 

Foto: Majlinda Hoxha


Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lindita Haxhitasim, ka thënë se është thellësisht e nderuar dhe krenare që ka mirëpritur të pranishmit në ambientin që e ka konsideruar kulmin e diplomacisë sonë kulturore.

“Ky instalacion i jashtëzakonshëm skulpturor, i krijuar nga artistja Doruntina Kastrati dhe kuruar nga vizionarja Erëmirë Krasniqi, nxjerr në dritë pabarazitë dhe sfidat me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, ku puna e tyre është kapitali i vetëm social dhe ekonomik që e zotërojnë”, citohet të ketë thënë ajo.

Kurse kuratorja Erëmirë Krasniqi ka thënë se brezi i të rinjve po identifikon se çfarë është strukturore në pabarazitë që përjetoi brezi i grave më herët dhe përmes punës po përpiqen ta bëjmë këtë botë pak më të jetueshme dhe më të përshtatshme.

“Duke u nisur nga përvojat e grave që punojnë në fabrikë, historitë e tyre që vijnë nga periferia e lëkurës sonë kolektive, jehojnë dhe ndërhyjnë në narrativën më të gjerë të Kosovës së sotme. Rrëfimet e tyre në vetën e parë i sjellim në botimin që e ndajmë sot me ju”, citohet të ketë thënë ajo.

“Tregimet na bashkojnë, historitë e patreguara na mbajnë larg. Ne kemi krijuar histori nga ato që kanë ndodhur, ato që po ndodhin në këtë moment  dhe ato që formohen thjesht në imagjinatën tonë përmes fjalëve, imazheve, ëndrrave, dhe një ndjenjë të pafund habie për botën përreth nesh dhe si funksionon ajo. Të mos jesh në gjendje të tregosh historinë tënde, të heshtësh dhe të mbyllesh, do të thotë të dehumanizosh”, është citati i shkrimtares Elif Shafak me të cilin e ka filluar fjalën e saj artistja Doruntina Kastrati.

“Jam e lumtur që jam këtu sot dhe ndaj pjesë të një historie që është gjithmonë e pranishme në përvojën tonë lokale dhe globale, duke filluar nga nëna ime Fitnete, ish-koleget e saj Shaije dhe Mimoza, dhe shumë zëra të tjerë nga margjina, të paarritshëm, të padëgjuar”, ka thënë ajo.

Sipas njoftimit, me këtë rast u promovua dhe u shpërnda edhe një botim i bazuar në hulumtim, ku prezantohen tri histori gojore me ish-punonjëset e Fabrikës së llokumeve.

“Intervista, që artistja Kastrati ka realizuar me nënën e saj, Fitnete Veselaj-Kastrati, është pikënisje e këtij botimi. Artistja dhe nëna e saj, së bashku kujtojnë kohën kur ajo punonte në fabrikë. Intervistat kanë një strukturë biografike, duke reflektuar mbi mënyrën se si gratë menaxhuan përgjegjësitë dhe presionet në vendin e punës, si dhe marrëdhëniet e tyre si bashkëshorte dhe nëna, dhe se si kjo ka ndikuar në vetëvlerësimin e tyre”, shkruhet në komunikatë.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img