Sokol Paja
New York, 22 qershor 2024 – Tonin Mirakaj, një ndër aktivistët më të veçantë të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festoi 90 vjetorin e lindjes. Një atdhetar i flaktë, patriot i dalluar, aktivist i zjarrtë, antikomunist i vendosur, besimtar i devotshëm dhe qytetar model, për mbi 6 dekada Tonin Mirakaj dha kontribut të jashtëzakonshëm në komunitetin shqiptar në Amerikë. Në një festë private me familjarë e miq të ngushtë, me bekimin e Dom Nikolin Përgjinit e Diakon Marash Shkrelit, e bija Diana Mirakaj Finerti dhe nipat Poul e Anthony Evangelista mbajtën fjalën kryesore të drekës festive teksa shprehën dashuri e mirënjohje për Toninin e dashur e të shtrenjtë, për mirësinë, dashurinë, këshillat, përkujdesjen, humorin, zgjuarsinë, sakrificat e gjithçka ai i ka dhuruar familjes në 90 vite jetë.
Tonin Mirakaj shqiptaro-amerikan i natyralizuar që në vitin 1967, ka lindur më 5 Korrik 1934 në Iballë të rrethit të Pukës, në familjen “Mirakaj”, e njohur për persekutimin e qëndrim antikomunist, që në vitet e para të marrjes së pushtetit diktatorial që sundoi në Shqipëri afro 50 vjet. Tonin Mirakaj jeton në Amerikë që nga data 24 Shkurt 1961, i ardhur nga kampet 2 UN të Italisë. Në këto kampe kaloi 6 muaj. Në Amerikë erdhi me garanci të Komitetit Shqipria e Lir, dhe ndihmë të International Rescue Committee. Shkrimin e parë për botim pas ardhjes në Amerikë ia dërgoi editorit të gazetës “Shqiptari i Lirë” Profesor Nexhat Peshkopia. Ai e lidhi me Federatën Vatra dhe i dha një kopje të Kanunores, të cilën e ruan edhe sot me fanatizëm. Tonin Mirakaj u regjistrua si anëtar në Vatër në verë të vitit 1961. Për herë të parë ishte delegat në Kuvendin e Vatrës në vitit 1971. Tonin Mirakaj u zgjodh anëtar i Kryesisë, kryetar i degës 29 NY/NJ, kryetar kuvendi, sekretar, reporter kuvendesh disa herë, dhe n/kryetar i Federatës Vatra për 4 vjet në vitet: 81, 82, 83 dhe 85. Ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me gazeten Dielli, kryesisht me editorin Xhevat Kallajxhi, bashkëpunim që e ruan edhe sot. Tonin Mirakaj është aktiv dhe ndër figurat kryesore të Vatrës e veprimtarisë patriotike në USA që nga viti 1971 deri më 1997. Anëtar i disiplinuar dhe shembull që nga 1961 e në vazhdim. Në mediat e shkruara në Amerikë Tonin Mirakaj ka kontribuar në gazetat: “Shqiptari i Lirë”, “Dielli”, “Koha e Jonë”, “Illyria” dhe “Jeta Katolike”. Tonin Mirakaj ndihmoi shumë emigrantë në integrimin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me punë e përkthime në emigracion. Gjatë jetës së tij u takua me shumë politikanë shqiptarë ndër ta veçon Doktor Rugovën, Doktor Berishën, Mejdanin, Moisiun etj.
Tonin Mirakaj u vlerësua dy herë nga Vatra, veçojmë më 26 dhjetor 2017 me rastin e 105 vjetorit të themelimit: “Anëtar i Përjetshëm” i saj, për anëtarësi të shkëlqyer, për qëndrim të denjë ndaj çështjes shqiptare, dhe shembull i qytetarit shqiptaro-amerikan. Tonin Mirakaj u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta më 9 qershor 2022 me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e spikatur në demokratizimin e Shqipërisë, forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, lartësimin e imazhit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me kishen katolike shqiptare në New York Tonin Mirakaj fillon aktivitetin e tij me formimin e Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane (The Albanian American Cathilic League) më 16 Qershor 1962. Me 21 Korrik 1962 zgjidhet Këshilli i parë i Lidhjes: Tonin Mirakaj zgjidhet sekretar. Gjatë periudhës 1962 – 2000, ka kryesuar Këshillin e Kishës në 4 mandate, në periudha të ndryshme. Ka kryesuar aktivitete si Seminarin Internacional me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjeter Bogdani, mbajtur në Fordham University më 7 Tetor 1989, i cili në mes të tjeresh solli në Amerikë për të parën herë Profesor Ibrahim Rugovën. Në atë rast, filloi aktiviteti i tij diplomatik dhe politik që solli rezultate të përmasave historike për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar. Tonin Mirakaj organizoi Festivalin e parë shqiptar më 28 Tetor 1991, suksesi i të cilit filloi një traditë që po vazhdon për më shumë se 30 vite. Kryesoi shtegtimin në Vatikan dhe Audiencën me Shenjtërinë e Tij Papa Gjon Pali i dytë, Shtegtimin në Tokën e shenjtë etj. Kontributi dhe veprimtaria e Tonin Mirakajt do të ishte e pamundur pa mbështetjen e bashkëshortes së tij Miliana dhe vajzave Eleonorë e Diana, djalit Danjel të cilët kane qenë në çdo hap me Toninin dhe aktive në veprimtaritë e Kishës Katolike Shqiptare në New York duke kontribuar në korin e Kishës e në grupin Rozafati që prej fillimit. Jeta e Tonin Mirakajt është një frymëzim për brezat, mbi 6 dekada aktivizëm e kontribut thelbësor për komb e komunitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tonin Mirakaj me jetën e tij aktive e veprimtarinë shumplanëshe, përfaqëson një plejadë patriotësh që shënuan një emër të ndritur në historinë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Faleminderit dhe mirënjohje për gjithçka Tonin Mirakaj./Gazeta Dielli Faqja zyrtare