SOUTHFIELD, Michigan – 31 Maj 2026 – Shoqata Atdhetare “Kosova” organizoi një aktivitet të veçantë me komunitetin shqiptar në Amerikë, ku të pranishmit patën mundësinë të lidhen drejtpërdrejt përmes një bashkëbisedimi live me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Takimi, i zhvilluar në Sallën e Kishës “Zoja Pajtore” në Southfield, mblodhi dhjetëra bashkatdhetarë të cilët ndoqën me interes diskutimet mbi zhvillimet në Kosovë, marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin e rëndësishëm që diaspora shqiptare vazhdon të luajë në forcimin e këtyre lidhjeve.
Pjesë e këtij bashkëbisedimi ishte edhe Anton Quni, i cili ndau mendimet e tij mbi çështje me interes kombëtar dhe rëndësinë e angazhimit të shqiptarëve kudo që jetojnë për të mbështetur Kosovën.
Në emër të Shoqatës Atdhetare “Kosova”, presidenti Nrec Mirdita shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për Presidenten Osmani dhe Zotin Quni për gatishmërinë e tyre për të komunikuar me diasporën shqiptare në SHBA. Ai falënderoi gjithashtu të gjithë pjesëmarrësit, mysafirët dhe organizatorët që kontribuuan në suksesin e këtij aktiviteti.
Sipas organizatorëve, takimi shërbeu si një urë e rëndësishme komunikimi mes institucioneve të Kosovës dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, duke forcuar lidhjet mes diasporës dhe atdheut. Të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë mesazhet e Presidentes Osmani, të shtrojnë pyetje dhe të diskutojnë mbi sfidat dhe perspektivat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Shoqata Atdhetare “Kosova” theksoi se do të vazhdojë të organizojë aktivitete të tilla, me synimin për të ruajtur dhe forcuar lidhjet e shqiptarëve të diasporës me Kosovën dhe çështjet me rëndësi kombëtare.



Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


