Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një gjuhë të ashpër për të komentuar reagimet ndaj platformës së tij “Flamingo Mirror”, duke i cilësuar kanalet sociale kritike si pjesë të “llumit anti-shtet”.
Sipas Ramës, platforma ka regjistruar në 24 orët e para 3,397 kërkime për faqe, mbi 127 mijë kërkime totale, 49 pyetje të reja dhe 122 tentativa sulmesh kibernetike nga 32 adresa të huaja, të cilat sipas tij janë zmbrapsur pa dëme.
Por shifrat e një platforme nuk e zgjidhin vetë çështjen kryesore: transparenca nuk mund të matet vetëm me numrin e kërkimeve dhe pyetjeve. Ajo matet edhe me sa të plota janë informacionet e publikuara, sa të verifikueshme janë dhe nëse qytetarët dhe gazetarët mund të kërkojnë llogari pa u etiketuar si “anti-shtet”.
Kritika ndaj qeverisë nuk është automatikisht sulm ndaj shtetit. Në një demokraci, kërkesa për transparencë, kontrolli i pushtetit dhe pyetjet mbi mënyrën se si qeveriset vendi janë pjesë e debatit publik.
Nëse “Flamingo Mirror” synon të jetë një epokë e re transparence, atëherë prova e saj më e madhe nuk është se sa njerëz e kërkojnë platformën, por sa të hapura, të plota dhe të kontrollueshme janë të dhënat që ajo ofron.
Të quash çdo kritikë “llum” nuk e forcon transparencën. Përkundrazi, e zhvendos debatin nga faktet te etiketime që nuk i shërbejnë një diskutimi serioz publik.
Ja postimi i Rames:
“FLAMINGO MIRROR – NJË EPOKË E RE TRANSPARENCE 🪞
Nga kalimi i saj LIVE, në 24 orët e para ‘Pasqyra e Flamingos/Flamingo Mirror’ ka regjistruar:
3,397 kërkime për faqe,
mbi 127 mijë kërkime totale në platformë,
49 pyetje të reja,
dhe gjithashtu 122 sulme kibernetike nga 32 adresa të huaja, të cilat janë zmbrapsur pa asnjë dëm.
Ky është vetëm fillimi i një përballjeje transparente mes fakteve të qeverisjes dhe llumit anti-shtet të kanaleve sociale.”

Foto nga Google Images
Artikulli


