10 C
Sterling Heights
05/10/2026, 8:06
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Kujtim R. Hajdari sjell për lexuesit romanin “AJO QË MBETI MES NESH”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaDiaspora në USAKujtim R. Hajdari sjell për lexuesit romanin “AJO QË MBETI MES NESH”

Poeti, shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Kujtim R. Hajdari vjen së shpejti me romin e tij të radhës “ AJO QË MBETI MES NESH”.  Në rrjetin e tij social FB, shkrimtari publikon një nga fragmentet e këtij romani, duke ftuar lexuesit dhe ndjekësit e tij për ta lexuar.  Duke i uruar suksese autorit për krijimtarinë e tij më të re, ju ftojmë të lexoni këtë pjesë me titullin: Martesa e prindërve.

MARTESA E PRINDËRVE

Pas disa ditësh, Filoreta bashkë me dy fëmijët e saj Fatmirin dhe Arjanën, tashmë të rritur,  folën me Ardianin përmes një video-telefonate. Shpresa dhe Luani, fëmijët e tij, gjithashtu u shfaqën në ekran. Në fillim të gjithë ishin pak të ndrojtur, por Arjana bëri një shaka dhe tensioni u tret.

Vendimi u mor pa bujë. Filoreta do të kthehej në Shqipëri. Këtë herë jo për pushime – për martesë.

Dasma do të ishte e vogël. Rreth pesëdhjetë veta, siç ranë dakord, vetëm të afërt dhe miq të familjes. Nuk donin sallë të madhe, as muzikë që të tundte muret, as shpenzime të tepërta. Donin një gëzim të vërtetë, me njerëz që i njihnin dhe që e kuptonin historinë e tyre.

Kur Filoreta mbërriti në qytetin bregdetar, Ardiani e priti në hyrje të qytetit. Kishte veshur një këmishë të bardhë dhe mbante në dorë një tufë me lule të verdha.

”Nuk janë trëndafila,” tha ai, paksa i turpëruar. ”Më thanë se lulet e verdha sjellin dritë.”

”Atëherë ke zgjedhur mirë,” iu përgjigj Filoreta.

Përgatitjet nisën menjëherë. Shpresa u mor me ftesat dhe me dekorimin. Luani gjeti një lokal të vogël pranë detit, me një verandë të gjerë dhe pamje nga gjiri. Arjana erdhi disa ditë më vonë nga Italia, ndërsa Fatmiri mbërriti bashkë me të, duke sjellë valixhe, dhurata dhe një aparat fotografik.

Vendi ku do të zhvillohej dasma ishte një restorant i bardhë, i ndërtuar në një shpat të ulët mbi det. Në njërën anë ndodhej një kopsht me ullinj, ndërsa në anën tjetër shtrihej veranda. Nëse shikoje përtej parmakut, dukej deti i hapur dhe varkat e vogla që lëviznin ngadalë mbi ujë. Ardiani kishte zgjedhur një ditë të fundjavës, kur moti ishte i ngrohtë, por jo vapë. Që në mëngjes, dielli u ngrit mbi qytet me një dritë të butë. Në rrugë kishte më pak zhurmë se zakonisht, sikur edhe qyteti ta dinte se ajo ditë ishte e veçantë. Filoreta u zgjua herët. Për një çast, ndërsa qëndronte pranë dritares, iu duk vetja si vajzë. Pastaj pa në pasqyrë flokët e saj të thinjur dhe fytyrën ku vitet kishin lënë shenja. Nuk u trishtua. Përkundrazi, i preku lehtë faqet me pëllëmbë dhe buzëqeshi.  Arjana i kishte zgjedhur fustanin. Ishte i thjeshtë, ngjyrë kremi, me mëngë të holla dantelle dhe një brez të ngushtë në mes. Nuk kishte vell të gjatë. Në vend të tij, Filoreta do të mbante një kapëse të vogël me perla.

”Je e bukur, mami,” i tha Arjana, ndërsa ia rregullonte flokët.

”Jam e emocionuar.”

”Kjo është edhe më bukur.”

Fatmiri hyri në dhomë me një kuti të vogël.

— Këto janë nga ne të dy, — tha ai.

Brenda kishte një varëse të hollë me një gur të kaltër.

— Nuk duhej, — tha Filoreta.

— Duhej, — u përgjigj ai. — Është për të të kujtuar detin dhe këtë ditë.

Në të njëjtën orë, në shtëpinë e tij, Ardiani po përgatitej me ndihmën e Luanit. Kishte zgjedhur një kostum ngjyrë gri të errët, një këmishë të bardhë dhe një kravatë blu.

— Baba, mos e lidh aq shtrënguar, — i tha Luani. — Nuk po shkon në gjyq.

— Po për mua është më e rëndësishme se një gjyq.

Luani qeshi dhe i rregulloi kravatën.

— Je i lumtur?

Ardiani pa përmes dritares nga deti.

— Po. Dhe kam pak frikë.

— Nga çfarë?

— Nga lumturia. Kur ke humbur shumë, ke frikë se mos edhe ajo pak të ikën.

Luani heshti për një moment, pastaj i vuri dorën në shpatull.

— Këtë herë nuk je vetëm.

Dasma nisi pasdite. Të ftuarit erdhën njëri pas tjetrit. Nga ana e Filoretës ishin disa kushërinj që jetonin në Shqipëri, dy shoqe të vjetra dhe fëmijët e saj. Pjesa tjetër e familjes, që nuk mund të udhëtonte nga Italia, ndiqte ceremoninë përmes telefonit. Nga ana e Ardianit ishin vëllezërit, motrat, kushërinjtë, miqtë e vjetër dhe familja e Luanit.

Në hyrje të lokalit, Shpresa kishte vendosur dy vazo me lule të bardha dhe të verdha. Mbi tavolinat e rrumbullakëta kishte qirinj të vegjël, degë ulliri dhe kartolina me emrat e të ftuarve. Në qendër të verandës ishte një tavolinë e vogël për çiftin, e zbukuruar me një mbulesë të bardhë dhe dy gota kristali.

Kur Filoreta mbërriti, muzika u ul. Ajo doli nga makina e shoqëruar nga Arjana dhe Fatmiri.    Nuk pati një hyrje madhështore. Nuk kishte fotografë të shumtë apo duartrokitje të ngrohta miqësore. Sapo ajo u shfaq, të gjithë u ngritën në këmbë.

Ardiani e priste pranë hyrjes së verandës.

Për disa sekonda, ata vetëm u panë. Mes tyre ishte ai çast i shkurtër kur njeriu përmbledh një jetë të tërë: takimin e parë, bisedat, ndarjen, pritjen dhe rrugën që i kishte sjellë deri aty.

Ardiani i zgjati dorën.

— Mirë se erdhe, Filoreta.

— Tani nuk po iki më, — i tha ajo.

Ai buzëqeshi, por sytë iu mbushën me lot. Filoreta i shtrëngoi dorën.

Ceremonia ishte e thjeshtë. Një i afërm i Ardianit, që kishte pranuar të drejtonte ceremoninë, foli për martesën si një fillim të ri, jo si fshirje të së kaluarës.

— Sot nuk po harroni atë që keni qenë, — tha ai. — Po sillni me vete gjithë jetën tuaj: kujtimet, fëmijët, humbjet, gëzimet dhe mësimet. Dy njerëz nuk bashkohen duke u bërë njëri si tjetri. Bashkohen duke i bërë vend njëri-tjetrit.

Filoreta dëgjoi fjalët me kokën pak të ulur. I erdhi ndër mend burri i saj i ndjerë. Nuk ndjeu faj që po martohej përsëri. Përkundrazi, ndjeu një lloj paqeje. Vitet që kishte kaluar me të nuk po zhdukeshin. Ato ishin pjesë e saj. Edhe dashuria e re nuk po zinte vend mbi të kaluarën, por pranë saj.

Kur erdhi momenti i unazave, Ardiani e mori unazën me duar që i dridheshin pak.

— Të premtoj se do të të respektoj, do të të dëgjoj dhe do të jem pranë teje, edhe në ditët kur nuk do të dimë çfarë të themi.

Filoreta e pa gjatë.

— Të premtoj se nuk do të kem frikë nga e nesërmja, për sa kohë do ta presim bashkë. Dhe të premtoj se në shtëpinë tonë do të ketë gjithmonë vend për fëmijët tanë.

Kur vunë unazat, duartrokitjet shpërthyen. Shpresa përqafoi Arjanën. Luani i dha dorën Fatmirit. Për një çast, të katër fëmijët qëndruan pranë prindërve, dukej sikur prej vitesh ishin pjesë e së njëjtës familje.

Më pas u shtrua darka. Në tavolina u vendosën sallata, peshk i pjekur, mish me erëza, perime të freskëta, bukë e ngrohtë dhe verë e bardhë. Në një tavolinë anësore ishte vendosur një tortë e thjeshtë, me krem të bardhë dhe dekorime prej sheqeri në formë guaskash.

Muzika nisi me një këngë të vjetër qytetare. Disa nga të ftuarit u ngritën të parët, pak të ndrojtur, pastaj rrethi u zgjerua. Shpresa mori Arjanën për dore dhe e çoi në valle. Të dyja qeshnin, ndërsa përpiqeshin të ndiqnin hapat e njëra-tjetrës.

— Nuk di të kërcej mirë, — i tha Arjana.

— As unë, por askush nuk do na vëri notë.

Pak më vonë, Ftamiri u bashkua me Luanin. Ata folën për punën, për udhëtimet dhe për ndryshimet mes Shqipërisë e Italisë. Luani i tregoi për firmën e vogël të transportit që po përpiqej ta zgjeronte me të atin.

”Nëna jote mund të na ndihmojë shumë,” tha Fatmiri. ”Babai ma ka thënë. Por kam frikë se mos e lodhim.”

”Mos u shqetëso. Nëna ime mund të rregullojë edhe një kompani që nuk ekziston ende.”

Të dy qeshën.

Kur erdhi koha e vallëzimit të çiftit, muzika u ngadalësua. Ardiani i zgjati dorën Filoretës. Ajo u ngrit dhe të dy u vendosën në mes të verandës.

Në fillim lëvizën ngadalë, me hapa të vegjël. Deti përballë tyre shkëlqente nën dritën e mbrëmjes. Zhurma e dallgëve përzihej me muzikën. Filoreta mbështeti kokën në shpatullën e Ardianit.

— A e mendove ndonjëherë se do të martoheshe përsëri? — e pyeti ai.

— Jo, kurrë. E pata ndarë mendjen për jo.

— Dhe unë.

— Ndoshta jeta pret derisa ne të mos presim më asgjë.

Ardiani e shtrëngoi më fort.

Në një tavolinë, njëra nga kushërirat e Filoretës fshiu sytë. Shpresa e pa dhe i buzëqeshi. Në fund të verandës, një kamerë telefoni transmetonte gjithçka te të afërmit në Itali. Në ekran, motra e Filoretës qante nga gëzimi dhe duartrokiste.

Pas vallëzimit, Fatmiri, i biri i Filoretës, kërkoi mikrofonin.

— Nuk kam përgatitur fjalim, — tha. — Dhe nëse përgatit një fjalim për nënën time, ajo fillon të qajë para se të mbarosh. Prandaj do të them vetëm kaq: ne, fëmijët e saj, jemi të lumtur kur ajo është e lumtur. Kjo është dhurata më e madhe që mund të na jepte.

Ai u kthye nga Ardiani.

— Dhe faleminderit që e bëtë të ndihet sërish e dashur.

Ardiani u ngrit dhe e përqafoi. Pastaj përqafoi edhe Arjanën. Filoreta nuk mundi të fliste për disa çaste. Lotët i ranë pa zhurmë, ndërsa të ftuarit ngritën gotat.

— Për Filoretën dhe Ardianin! — thirri Shpresa.

— Për familjen! — shtoi Luani.

Gotat u bashkuan. Muzika u ngrit përsëri.

Më vonë u pre torta. Ardiani dhe Filoreta mbajtën të dy thikën. Duart e tyre u prekën mbi dorezë. Filoreta i dha copën e parë atij, ndërsa Ardiani ia ktheu me një buzëqeshje.

— Tani, — tha Shpresa, — duhet të bëni një dëshirë.

Filoreta mbylli sytë.

Në ato pak fjalë që mundi të thoshte nuk kërkoi pasuri, as jetë pa probleme. Kërkoi vetëm që shtëpia e tyre të mos mbetej më e heshtur. Kërkoi që fëmijët të vinin shpesh, që darkat të zgjasnin dhe që në mëngjes të kishte dikush që ta pyeste: “Si fjete?”

Ardiani, siç e tregoi më vonë, kishte bërë të njëjtën dëshirë.

Dasma vazhdoi deri vonë. Disa të afërm u larguan të parët, por të rinjtë dhe miqtë e afërt qëndruan. Në fund, kur shumica kishin ikur, në verandë mbetën vetëm familjarët. Deti ishte nxirë dhe dritat e largëta të varkave dukeshin si pika të vogla në errësirë.

Filoreta hoqi këpucët dhe doli zbathur në rërë, bashkë me Arjanën. Shpresa u bashkua me to. Pak më tej, Ftamiri dhe Luani po flisnin me Ardianin.

— Si të duket jeta e re? — e pyeti Arjana.

Filoreta pa nga deti.

— Ende nuk ka filluar plotësisht.

— Pse?

— Sepse sonte sapo hapëm derën e saj.

Arjana e përqafoi.

Disa javë pas dasmës, Filoreta filloi të punonte në firmën e Ardianit si ekonomiste. Zyra ishte e vogël, me dy dhoma dhe një dritare nga ku dukej një pjesë e rrugës kryesore. Ajo rregulloi llogaritë, sistemoi faturat dhe krijoi një mënyrë të re për të ndjekur të ardhurat dhe shpenzimet.

— Nuk e di çfarë do të bënim pa ty, — i tha Ardiani një ditë.

— Do të vazhdonit të humbnit faturat.

— Pra, ti nuk erdhe vetëm për dashuri.

— Erdhi edhe pak disiplinë.

Ai qeshi.

Në mbrëmje ktheheshin në shtëpi së bashku. Ndonjëherë gatuanin, ndonjëherë hanin jashtë. Shpresa vinte të dielave. Luani sillte familjen e tij. Arjana dhe Fatmiri vinin nga Italia sa herë mundeshin, ndërsa kur nuk mundeshin, flisnin në video-telefonatë.

Jeta nuk u bë përrallë. Kishte ditë të lodhshme, debate të vogla, shqetësime për punën dhe mall për fëmijët. Por shtëpia nuk ishte më e heshtur. Në kuzhinë dëgjoheshin hapa, telefonata, të qeshura dhe zëra që flisnin njëherësh.

Një mbrëmje, disa muaj pas dasmës, Filoreta dhe Ardiani u ulën në të njëjtën shëtitore ku ishin ulur para se ajo të kthehej në Itali për herë të parë. Deti ishte i qetë. Qyteti kishte ndezur dritat dhe në ajër ndihej përsëri era e kripur e verës.

— E mban mend ditën kur të pyeta nëse do të ktheheshe? — tha Ardiani.

— Po.

— Dhe ti the se do të ktheheshe.

— Nuk e dija nëse po kthehesha për ty apo për detin.

— Tani e di?

Filoreta ia mbështeti kokën në shpatull.

— Për të dyja. Deti më kujtoi se jeta lëviz gjithmonë. Ti më kujtove se nuk është e nevojshme ta kalosh rrugën vetëm.

Ardiani i mori dorën. Unazat e tyre shkëlqyen nën dritën e një llambe.

Përballë, dallgët vinin e shkonin, siç kishin bërë gjithmonë. Por për Filoretën, ato nuk tingëllonin më si një këngë e largët. Tani tingëllonin si një premtim.

Dhe jeta vazhdoi. Jo me bujë, jo me mrekullira të mëdha, por me mëngjese të zakonshme, punë, telefonata, vizita, darka familjare dhe ditë të tjera pranë detit. Një jetë e re, e ndërtuar mbi atë që kishin humbur, mbi atë që kishin ruajtur dhe mbi guximin për ta dashur e respektuar njëri-tjetrin.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img