Kryeministri Edi Rama dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, dolën në një konferencë për mediat për të treguar se Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt standardeve europiane në fushën e prokurimeve publike. Sipas tyre, sistemi është modernizuar, procedurat janë dixhitalizuar dhe transparenca është rritur ndjeshëm.
Në letër, gjithçka duket perfekte: tendera elektronikë, reforma, harmonizim me Bashkimin Europian dhe “luftë kundër korrupsionit”. Në praktikë, shqiptarët vazhdojnë të dëgjojnë pothuajse çdo javë për tendera me një ofertues, kontrata që përfundojnë te të njëjtët emra dhe procedura që shpesh ngjajnë më shumë si formalitet sesa si garë reale.
Rama foli për rritje të besimit dhe standarde europiane, por qytetarët ende nuk kanë kuptuar se si ndodh që në vendin me kaq shumë “transparencë”, fituesit e tenderëve duken shpesh aq të parashikueshëm sa rezultati i një ndeshjeje të luajtur më parë.
Nga ana tjetër, Reida Kashta theksoi rëndësinë e harmonizimit me acquis communautaire, një term që tingëllon shumë serioz në konferenca, por që për qytetarin e zakonshëm përkthehet thjesht në një pyetje: “A do të ndalojnë më në fund tenderat me flamur të kuq?”
Qeveria thotë se Shqipëria është më pranë Europës. Megjithatë, për shumë qytetarë, problemi nuk është mungesa e platformave elektronike apo ligjeve të shkruara bukur, por mungesa e besimit se fondet publike menaxhohen pa klientelizëm dhe pa favorizime politike.
Në fund, konferenca dha përshtypjen se në Shqipëri prokurimet publike janë pothuajse model europian. Vetëm se europianët zakonisht habiten kur shohin se si “garat e hapura” këtu mbyllen shpesh me një kandidat të vetëm dhe me fitues që njihen para se të hapen zarfet.
Ja nje pjese nga fjala e Rames:
“Janë disa fjali që mund të tingëllojnë sikur flasin për Shqipërinë, por ato janë nxjerrë nga një raport i detajuar i Gjykata Europiane e Llogarive për prokurimet publike.
Raporti flet për mungesën e ndërgjegjësimit mbi faktin se konkurrenca është një element kyç në prokurimet publike.
Nëse e vendosim në kontekst treguesin e konkurrueshmërisë së vendit tonë dhe shohim pozicionin e Shqipërisë në tabelën e konkurrueshmërisë, rezulton se, ndërsa në vendet e BE-së kontratat me një ofertues përbëjnë mesatarisht 32.3 për qind të totalit, në Shqipëri kjo shifër është 23.5 për qind.
“Shqipëria është në një fazë shumë të mirë sa i takon avancimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimi Europian.”
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


