Një sulm kibernetik ka vënë në shënjestër kompanitë e mëdha financiare Visa, Mastercard dhe JPMorgan Chase, duke çuar në ekspozimin dhe publikimin në internet të të dhënave personale të mijëra klientëve. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë një grup hakerash i njohur me emrin n0n, i cili dyshohet se ka siguruar informacione përmes kompanive të jashtme që ofrojnë shërbime për këto institucione.
Sipas raportimeve, sulmuesit kanë shfrytëzuar sistemet e disa ofruesve të shërbimeve të palëve të treta, përmes të cilëve kompanitë financiare menaxhonin informacione dhe fushata të ndryshme marketingu. Kjo do të thotë se, sipas deklarimeve të vetë kompanive, rrjeti i tyre kryesor dhe infrastruktura e pagesave nuk janë komprometuar drejtpërdrejt.
Në rastin e JPMorgan Chase, banka konfirmoi se sulmuesit kishin shënjestruar disa kompani të jashtme që ofrojnë shërbime për të. Sipas hetimeve paraprake, hakerat mund të kenë siguruar akses në të dhëna marketingu, përfshirë emra dhe adresa elektronike të klientëve.
Një shqyrtim i të dhënave të publikuara nga Reuters identifikoi më shumë se 16 mijë adresa elektronike të klientëve, si dhe disa numra telefoni dhe kode postare. Megjithatë, Reuters theksoi se nuk kishte mundur të verifikonte në mënyrë të pavarur autenticitetin e të gjitha të dhënave të publikuara. Banka deklaroi se do të kontaktojë klientët e prekur.
Visa konfirmoi gjithashtu incidentin, duke bërë të ditur se ai lidhej me një ofrues të jashtëm shërbimesh në rajonin Azi-Paqësor. Kompania theksoi se sistemet e saj nuk janë prekur dhe se nuk ka indikacione për komprometimin e të dhënave të pagesave, përfshirë numrat e kartave bankare.
Nga ana tjetër, Mastercard konfirmoi se një incident në një kompani partnere kishte ekspozuar një numër të kufizuar adresash elektronike të klientëve të regjistruar në një program të veçantë përfitimesh. Kompania siguroi se rrjeti i pagesave nuk është prekur dhe se kartat vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
Sipas analizës së publikuar nga Cybernews, në materialet që lidhen me Visa janë identifikuar të dhëna të më shumë se 6 mijë klientëve të programit premium, ndërsa në rastin e JPMorgan Chase janë evidentuar rreth 16 mijë klientë. Këto shifra bazohen në shqyrtimin e materialeve të publikuara dhe nuk përfaqësojnë një bilanc përfundimtar të konfirmuar nga kompanitë.
Grupi n0n kishte paralajmëruar publikimin e të dhënave dhe kishte vendosur një afat 48-orësh për kompanitë, në kuadër të përpjekjeve për t’i detyruar ato të negocionin. Sipas Reuters, grupi është shfaqur në Shtator 2026 dhe ka pretenduar se ka qenë i përfshirë në rreth 200 incidente kibernetike.
Ndërkohë, JPMorgan Chase sqaroi se ky sulm nuk ka lidhje me ndërprerjet e shërbimeve bankare që klientët përjetuan në fillim të kësaj jave. Problemet e atëhershme, sipas bankës, u shkaktuan nga një defekt në softuer dhe jo nga një sulm kibernetik.
Pavarësisht se kompanitë kanë deklaruar se sistemet e pagesave dhe informacionet e kartave bankare nuk janë prekur, publikimi i adresave elektronike, numrave të telefonit dhe të dhënave të tjera personale krijon rrezik për mashtrime dhe tentativa të mëtejshme phishing, përmes mesazheve apo komunikimeve të rreme që mund të paraqiten si njoftime zyrtare nga bankat.
Ky incident rikthen në vëmendje një problem gjithnjë e më të madh për kompanitë financiare: sigurinë e të dhënave që u besohen partnerëve dhe ofruesve të jashtëm të shërbimeve. Edhe kur sistemet kryesore të një institucioni mbeten të paprekura, dobësitë në zinxhirin e bashkëpunëtorëve mund të ekspozojnë informacionin personal të klientëve.
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


