Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer po përballet me një situatë të tensionuar politike, pas një vale dorëheqjesh që ka goditur kabinetin e tij dhe ka hapur debat mbi stabilitetin e brendshëm të ekzekutivit në Mbretëria e Bashkuar.
Një nga figurat më me ndikim brenda qeverisë, deputetja dhe ministrja Jess Phillips, ka dhënë dorëheqjen duke lënë pas një deklaratë të fortë kritike ndaj drejtimit aktual të qeverisë. Ajo është shprehur se është lodhur duke parë “mundësitë për progres të ngecura dhe të vonuara”, duke lënë të kuptohet se pakënaqësitë brenda kabinetit kanë qenë të akumuluara prej kohësh.
Phillips solli disa shembuj për të ilustruar, sipas saj, mungesën e shfrytëzimit të mundësive nga qeveria. Ajo iu referua një propozimi të hartuar më shumë se një vit më parë nga nëpunës civilë, i cili synonte të ndalonte krijimin dhe shpërndarjen e imazheve nudo të fëmijëve të gjeneruara prej tyre, si rezultat i manipulimit apo shfrytëzimit online. Sipas saj, një pjesë e madhe e abuzimit seksual ndaj të miturve në internet lidhet me situata ku fëmijët shtyhen ose detyrohen të prodhojnë materiale të tilla. Ajo kritikoi faktin se, pavarësisht kohës së kaluar, qeveria nuk kishte arritur të ndërmerrte hapa konkretë, por vetëm kishte diskutuar mundësinë e legjislacionit, duke e cilësuar këtë si një qasje të ngadaltë dhe pa vendosmëri, ndërsa disa nisma ishin shtyrë për muaj të tërë përpara se të merreshin në konsideratë.
“Ne mund ta ndalonim këtë abuzim. Më është dashur një vit për t’ju bindur të kërcënoni madje me legjislacion në këtë fushë. Jo të legjisloni, vetëm të kërcënoni. Ky është përkufizimi i ndryshimit inkremental. Asgjë e guximshme në të. Njoftimi ishte planifikuar për në mars,”- shkroi ajo.
Menjëherë pas saj, dorëheqjen e ka paraqitur edhe Alex Davies-Jones, e cila mbante portofolin për viktimat dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Largimi i saj është parë si një tjetër sinjal i presionit në rritje brenda strukturave qeveritare, veçanërisht në fushat sociale dhe të drejtave të njeriut.
Davies-Jones, në letrën e saj të dorëheqjes, shkroi: “Shkalla e humbjeve elektorale në Senedd Cymru dhe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar ka qenë katastrofike. Vendi ka folur dhe ne duhet të dëgjojmë.” Ajo shtoi: “Ne pritëm 14 vjet për të ardhur në pushtet dhe për të ndryshuar jetën e atyre që përfaqësojmë. Tani është koha për veprime të guximshme, radikale. Ju lutem të veproni në interesin e vendit dhe të vendosni një afat kohor për largimin tuaj.”
Pavarësisht zhvillimeve, kryeministri Starmer ka refuzuar të japë dorëheqjen, duke sinjalizuar se synon të vazhdojë mandatin e tij dhe të stabilizojë situatën brenda kabinetit. Megjithatë, këto dorëheqje të njëpasnjëshme po rrisin presionin politik mbi qeverinë dhe po hapin diskutime për drejtimin e saj në muajt në vijim.
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa pritet të shihet nëse këto largime do të shoqërohen me të tjera dorëheqje apo me një riformatim të thellë të kabinetit britanik.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


