
Shoqatat e biznesit i kanë dërguar një letër të hapur guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe Ministres së Financave Delina Ibrahimaj, ku i kanë kërkuar marrjen e masave për të frenuar zhvlerësimin historik që ka pësuar monedha euro në këto ditët e fundit. “Rënia e monedhës euro në raport me monedhën vendase ka dëmtuar dhe vazhdon që të dëmtojë rëndë një pjesë të konsiderueshme të subjekteve të biznesit, e cila shoqërohet me impakte shumë negative në ekonominë e vendit në përgjithësi. Ky fenomen nuk mund të lihet në rënie të lirë. Asnjë qëndrim zyrtar nga Banka e Shqipërisë dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk është përcjellë për publikun e biznesit, lidhur me shkaqet e kësa anomalie.
Nëse vërtetë mendohet se duke ulur koston e importeve me pasojë uljen e eksporteve është një zhvillim pozitiv ekonomik dhe tregues i një ekonomie të fortë, atëherë po rrezikohet kthimi pas në ekonomi, ngjashëm me vitin 1992, nën efektet e terapisë shok.
Asnjë ulje të çmimeve të produkteve të importit nuk kanë përfituar konsumatorët shqiptarë. Nga zhvlerësimi i monedhës kanë përfituar vetëm individë importues të veçantë dhe ekskluzivë”, thuhet në letër. Më tej shoqatat e biznesit shprehen se zhvlerësimi i euros ka dëmtuar rëndë industrinë prodhuese eksportuese si dhe turizmin vendas, duke detyruar shumë bizxneese të shkojnë drejt falimentimit.
Shoqatat e biznesit kërkojnë nga Banka e Shqipërisë:
Analizë të detajuar mbi situatën dhe impaktin që po sjell në ekonomi ku fenomen.
Hetim dhe transparencë për faktorët natyralë dhe jonatyralë që ndikojnë
Komunikim më i plotë dhe i gjerë nga BSH me grupet e interesit
Vendimmarrje nga organet që mund të normalizojnë situatën siç janë Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.


