Një sëmundje së cilës nuk po i gjendet shërimi.
Stadiumet në futbollin shqiptar janë kthyer në një gangrenë, dhe sezoni që vjen rrezikon të jetë në kushte edhe më të këqija sesa ky që u mbyll.
Një raport i brendshëm i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ngre alarmin se disa stadiume nuk i plotësojnë kushtet për licencim.
Stadiume të tillë si ai “Niko Dovana” në Durrës, “Skënderbeu” në Korçë dhe ai i Laçit duhet të kryejnë punime për mangësi të shumta, për gazetarët, dhomat e zhveshjes etj.
Natyrisht, stadiumi i Kamzës nuk mund të jetë alternativë sepse nuk i plotëson plotësisht kushtet dhe ndeshjet e Superligës nisën të mos luheshin aty që sezonin e fundit.
Nëse nga kategoria ra Kastrioti që nuk e ka stadiumin për të luajtur, në elitë vjen Dinamo e cila gjithashtu nuk ka ku të luajë.
“Selman Stërmasi” nuk mund të presë ndeshje, Kamza jo, ndërsa “Arena Air Albania” shpesh herë është e mbyllur për shkak të kombëtares, mirëmbajtjes dhe koncerteve.
Një problem i tillë bëri që Tirana të luante në Rrogozhinë ndeshjen përcaktuese për titullin, atë ndaj Bylisit që e barazoi 2-2 dhe prej së cilës humbi kampionatin.
/BotaSot/


