Fjala ime në takimin e organizuar me Forumin e gruas në Tetovë:
I nderuar Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, i nderuar Kryetar i Degës dhe njëherit Sekretar i përgjithshëm në BDI z. Faton Ahmeti, e nderuara Nënkryetare e BDI, z. Arbana Pasholli, të nderuara deputete, familjare të dëshmorëve, këshilltare, anëtare të Kryesisë qendrore e të FG, aktiviste dhe të gjitha ju mysafire që sot na nderuat me pjesëmarrjen kaq masive në këtë takim informativ.
E vlerësuar si qenia më aktive e njerëzimit, gruaja sidomos viteve të fundit ka dëshmuar se është e zonja për të drejtuar e udhëhequr procese. Prania e gruas në politikë, para së gjithash do të krijonte një ambient më paqësor dhe të unifikuar, sepse jo më kot thuhet: Aty ku burrat bëjnë luftë, gratë vendosin paqe.
Tanimë ka mbërritur koha kur gratë, duke dëshmuar vlerat më të përkryera, energjinë dhe kreativitetin, ta përdorin për të mirën e tyre dhe të gjithë shoqërisë.
Imponimi i rolit dytësor të gruas edhe në shoqërinë e re demokratike është i papranueshëm.
Të ndodhur para një momentumi shumë të rëndësishëm politik, atij të rreshtimit në anën e drejtë të historisë, marr të drejtën dhe njëkohësisht e kam për obligim moral që juve Kryetar tua përcjell porosinë nga të gjitha gratë dhe të them se ne do jemi pjesë e frontit për Bashkimin evropian të iniciuar dhe udhëhequr nga ju Kryetar, njëkohësisht të them që në strukturat tona për të cilat BDI ka investuar me vite, kemi shumë gra e vajza që kanë kapacitetin, profesionalizmin, përkushtimin dhe devotshmërinë për të dhënë kontributin e pakontestueshëm në rrugëtimin e eurointegrimeve. Kemi shumë femra të përgaditura nga të gjitha gjeneratat, e sidomos të reja me sy që shkëlqejnë me adrenalinën e kohës dhe sfidës për ta përpirë suksesin.
Gjatë gjithë historisë, femra shqiptare jo vetëm që ka qenë krah për krah me burrin, por shpeshherë iu ka prijë edhe proceseve të rëndësishme sepse jo më kot thuhet se ato janë palca dhe gardiani i kombit.
Andaj në këtë kontekst, ne aktivistet e Forumit të gruas, dhe jo vetëm, duhet të vazhdojmë të jemi pjesë e historisë së lavdishme për të cilën gjeneratat e ardhshme do të ndiheshin krenarë dhe të kënaqur se dikush para tyre paska menduar për të ardhmen e tyre më të dinjitetshme, prosperuese e më cilësore.
Po e përfundoj fjalimin duke ju falënderuar të gjitha atyre femrave që nuk e kanë kursyer veten ndër vite, për gjithë kontributin e dhënë si në parti, në profesionet e tyre dhe në shoqëri, të gjitha ato të cilat janë bërë shembull dhe shkak që shumë vajza të reja duke i admiruar ato, të marrin guximin për ti dalë Zot vetes duke avancuar pozitën e femrave kudo.



