25.4 C
Sterling Heights
28/08/2026, 15:23
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Hoxha reagon ndaj deklaratave të Spajiç: Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetHoxha reagon ndaj deklaratave të Spajiç: Shqipëria nuk është dhe nuk mund...

Deklaratat e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, për një veprimtari të koordinuar hibride që synon destabilizimin e vendit kanë shkaktuar reagime edhe në Tiranë.

Përballë raportimeve dhe interpretimeve mediatike që kanë pasuar deklaratat e Spajiç, ka reaguar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të Shqipërisë në veprime të tilla.

Hoxha theksoi se ndaj Shqipërisë nuk është paraqitur asnjë akuzë zyrtare, por nënvizoi qartë se Tirana nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari që synon destabilizimin e një vendi fqinj.

“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, deklaroi Hoxha.

Ministri shtoi se Shqipëria ndjek pikërisht rrugën e kundërt, duke investuar në mënyrë të vazhdueshme në bashkëpunim, mirëkuptim, stabilitet dhe zhvillim në rajon, si edhe në forcimin e bashkëpunimit evropian dhe euroatlantik.

Duke iu referuar raportimeve të ndryshme në media, Hoxha tha se ato janë pjesë e debatit publik dhe se institucionet shqiptare i lexojnë dhe i analizojnë me vëmendje, por gjithmonë duke ruajtur rezervën e nevojshme, veçanërisht kur përmbajnë interpretime kontradiktore.

Sipas tij, hamendësimet dhe debatet e brendshme politike në një vend fqinj nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Podgoricës.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet”, theksoi Hoxha, duke bërë të ditur se ka zhvilluar komunikime edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, si dhe me zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme apeloi gjithashtu që edhe në Shqipëri të shmangen debatet e panevojshme mbi çështje të politikës së jashtme. Ai u shpreh se aktorët politikë dhe publikë janë të mirëpritur të kërkojnë informacion nga MEPJ, në mënyrë që të mos krijohen interpretime të panevojshme apo që politika e jashtme e vendit të përdoret si instrument i përplasjeve të brendshme partiake.

“Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, përfundoi Hoxha.

Reagimi i tij vjen pas deklaratave të kryeministrit malazez Milojko Spajiç lidhur me një veprimtari të koordinuar hibride që, sipas tij, synon destabilizimin e Malit të Zi, deklarata që kanë nxitur debat dhe raportime të ndryshme në mediat e rajonit.

Ja reagimi i plotë nga ministri Hoxha

Raportimet e mediave janë pjesë e debatit publik. Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur përmbajnë interpretime të ndryshme apo kontradiktore.

Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj #Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në #NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në #BE, dhe as askund tjetër.

Shqipëria dallon sepse bën pikërisht të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian e euroatlantik.

Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me ZvKM dhe MPJ, Ibrahimović, si dhe me ZvKM, Nik Gjeloshaj.

Kjo duhet mbajtur parasysh edhe këtu tek ne. Aktorët e ndryshëm, përfshirë ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga MEPJ çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debate të panevojshme dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar që politika e jashtme e vendit të kthehet në objekt apo instrument të debateve dhe qasjeve partiake të brendshme.

Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi.

Foto nga Google Images

Artikulli pregatitur nga ACTVUSA

 

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img