Artisti i ri nga Prishtina, Akil Dashevci, ka marrë një ftesë prestigjioze nga “PAKS Gallery” dhe “MAMAG Museum” për të ekspozuar veprat e tij në disa prej ngjarjeve më të mëdha artistike botërore. Këto përfshijnë Festivalin e Filmit në Kanë, Art Basel Week dhe Carrousel du Louvre, duke e vendosur Dashevcin në qendër të vëmendjes së artdashësve dhe koleksionistëve ndërkombëtarë.
Dashevci, ka mbajtur deri më tani shtatë ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive ndërkombëtare.
Ftesa për të marrë pjesë në këto ngjarje prestigjioze është një dëshmi e talentit të tij të jashtëzakonshëm dhe përkushtimit të tij ndaj artit. “Kuratorët tanë qe kanë parë veprat tuaja të artit i gjejne ato shumë mbresëlënëse” thuhet në ftesën e dërguar nga organizatorët
Në Festivalin e Filmit në Kanë, Dashevci do të prezantojë punimet e tij përpara një audience të përzgjedhur, duke përfshirë kineastë dhe artistë të njohur nga e gjithë bota. Art Basel Week, një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor, do t’i ofrojë atij një platformë për të shfaqur krijimet e tij përballë koleksionistëve dhe kritikëve të artit. Ndërkohë, ekspozita në Carrousel du Louvre në Paris do të jetë një mundësi unike për të prezantuar artin e tij në një nga qendrat më të njohura kulturore të botës.
Kjo arritje e Dashevcit është një krenari për artin shqiptar dhe një frymëzim për artistët e rinj që synojnë të pushtojnë skenën ndërkombëtare. Me këtë hap të madh, ai jo vetëm që promovon talentin e tij, por edhe pasuron imazhin e artit shqiptar në arenën globale.
Foto nga Google Images


