Më 2 mars 1444, në Katedralja e Shën Kollit në qytetin e Lezhë, u mblodhën princat më të fuqishëm shqiptarë në një kuvend historik që do të hynte përgjithmonë në memorien kombëtare si Besëlidhja e Lezhës. Në këtë vend, ku sot ndodhet edhe memoriali i Gjergj Kastrioti, u hodhën themelet e bashkimit politik dhe ushtarak të shqiptarëve përballë rrezikut osman.
Organizator i këtij kuvendi ishte vetë Gjergj Kastrioti, prijësi i Principatës së Kastriotëve, i cili pas rikthimit në atdhe dhe rimarrjes së Krujës në vitin 1443, ndërmori hapin vendimtar për të bashkuar principatat shqiptare. Në një kohë kur trojet shqiptare ishin të ndara në zotërime feudale dhe shpesh në konflikt me njëra-tjetrën, Besëlidhja e Lezhës shënoi një akt të rrallë uniteti kombëtar.
Në kuvend morën pjesë përfaqësues të familjeve të mëdha feudale shqiptare, të cilët ranë dakord të formonin një aleancë të përbashkët ushtarake dhe politike, të njohur si Lidhja e Lezhës. Secili princ ruante autonominë në zotërimet e veta, por në çështjet e luftës kundër Perandorisë Osmane do të vepronin të bashkuar nën udhëheqjen e Skënderbeut si komandant i përgjithshëm.

Anëtarët kryesorë të besëlidhjes ishin Arianitet, Balshajt, Muzakajt, Spanet, Zahariajt dhe Gjurashet. Barleti e quan generalis concilium ose universum concilium (këshilli i përgjithshëm); termi “Besëlidhja e Lezhës” u farkëtua nga historianët e mëpasëm. Kuvendi i Lezhës çmohet si pika e nisjes në krijimin e një shteti shqiptar.
Ky bashkim nuk ishte thjesht një marrëveshje ushtarake, por një akt besëlidhjeje – një zotim solemn për të qëndruar së bashku për mbrojtjen e tokës, fesë dhe identitetit. Në një epokë kur fuqitë e mëdha të kohës lëkundeshin përballë zgjerimit osman, shqiptarët arritën të krijonin një front të organizuar rezistence që do të zgjaste për më shumë se dy dekada.
Besëlidhja e Lezhës konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme politike e Mesjetës shqiptare dhe një nga momentet themeluese të vetëdijes kombëtare. Ajo dëshmon se, edhe në kohë të vështira, shqiptarët kanë ditur të lënë mënjanë ndasitë për një qëllim madhor – lirinë dhe mbrojtjen e atdheut.
Sot, 582 vjet më pas, kujtimi i 2 marsit 1444 mbetet një thirrje për unitet dhe përgjegjësi kombëtare. Në hijen e memorialit të Skënderbeut në Lezhë, historia vazhdon të na kujtojë se forca më e madhe e një kombi është bashkimi i tij.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


