Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit për një periudhë pesëditore, në një zhvillim që shihet si përpjekje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas deklaratës së tij në platformën Truth Social, ky vendim vjen pas asaj që ai e përshkroi si “bisedime shumë të mira dhe produktive” me palën iraniane, me synimin për të arritur një zgjidhje të plotë të konfliktit.
Ja postimi i plote në TruthSocial:
“Jam i lumtur të raportoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit kanë pasur, gjatë dy ditëve të fundit, shumë bisedime të mira dhe produktive për një zgjidhje të plotë të armiqësive tona në Lindjen e Mesme. Bazuar në tonin dhe natyrën e këtyre bisedimeve të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të shtyjë çdo goditje ushtarake ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës së energjisë në Iran për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vijim.”
Vendimi i Trump erdhi pak para përfundimit të një ultimatumi 48-orësh që SHBA i kishte vendosur Iranit për rihapjen e ngushticës strategjike të Hormuzit. Në vend të përshkallëzimit ushtarak, ai zgjodhi të japë një afat shtesë pesëditor për të vazhduar negociatat.
Kjo lëvizje konsiderohet si një hap drejt de-eskalimit të përkohshëm të konfliktit, i cili ka hyrë në javën e katërt dhe ka shkaktuar pasoja të mëdha politike dhe ekonomike në nivel global.
Megjithatë, ekzistojnë kontradikta të forta mes palëve: ndërsa Trump flet për përparim në negociata, zyrtarë iranianë kanë mohuar publikisht se ka pasur bisedime direkte me SHBA-në.
Vendimi për pezullimin e sulmeve ka pasur ndikim të menjëhershëm në tregjet financiare ndërkombëtare. Bursa amerikane dhe europiane kanë shënuar rritje, ndërsa çmimet e naftës kanë pësuar rënie të ndjeshme, si pasojë e shpresave për një zbutje të konfliktit.
Nga ana tjetër, media shtetërore iraniane e ka interpretuar këtë hap si një tërheqje të SHBA-së përballë presionit dhe kërcënimeve nga Teherani.
Pavarësisht këtij zhvillimi, situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë. Analistët theksojnë se kjo është vetëm një pauzë taktike dhe jo një marrëveshje përfundimtare paqeje.
Negociatat pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me kujdes nëse kjo ndërprerje e përkohshme do të çojë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme apo një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


