Një incident i rëndë ajror është regjistruar në Newark Liberty International Airport, ku një avion i kompanisë United Airlines u përplas me një kamion dhe një shtyllë ndriçimi gjatë fazës së uljes.
Ngjarja ndodhi më 3 maj 2026, kur fluturimi 169, një avion tip Boeing 767 që vinte nga Venecia e Italisë, po afrohej për ulje. Gjatë zbritjes, avioni fluturoi shumë pranë tokës mbi autostradën New Jersey Turnpike dhe goditi fillimisht një shtyllë drite, e më pas një kamion që po lëvizte në rrugë.
Pavarësisht momentit dramatik, avioni arriti të ulej në mënyrë të sigurt dhe të shkojë deri në portë pa incidente të tjera. Në bord ndodheshin 221 pasagjerë dhe 10 anëtarë ekuipazhi, dhe fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk u lëndua.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit pësoi lëndime të lehta dhe u transportua në spital, jashtë rrezikut për jetën. Një detaj tjetër është se shtylla e goditur nga avioni më pas u përplas edhe me një automjet tjetër në rrugë.
Autoritetet amerikane, përfshirë Federal Aviation Administration dhe National Transportation Safety Board, kanë nisur hetime për të përcaktuar shkaqet e sakta të incidentit. Dyshimet paraprake lidhen me një ulje jashtë parametrave normalë, ku avioni ka fluturuar më ulët se sa duhet gjatë afrimit në pistë.
Ekspertët e aviacionit kanë theksuar se një katastrofë e madhe u shmang për pak metra, duke qenë se një devijim edhe më i vogël mund të kishte pasoja tragjike.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje sfidat e uljes në këtë aeroport, veçanërisht në pista të shkurtra dhe në kushte të vështira, ndërsa pritet që raporti paraprak i hetimit të publikohet në javët në vijim.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


