30.6 C
Sterling Heights
07/08/2026, 16:46
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Arrestohet në SHBA pas gati 30 vitesh arrati shqiptari i dënuar për tre vrasje – roli kyç i Ambasadës Amerikane në Tiranë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetArrestohet në SHBA pas gati 30 vitesh arrati shqiptari i dënuar për...

Arrestohet në SHBA pas gati 30 vitesh arrati shqiptari i dënuar për tre vrasje – roli kyç i Ambasadës Amerikane në Tiranë

Pas gati tri dekadash arrati dhe fshehjeje të identitetit, Sokol Hoxha, shtetas shqiptar i dënuar në mungesë për vrasjen e dy vëllezërve në Shqipëri dhe për vrasjen e një gruaje në Belgjikë, është arrestuar në Shtetet e Bashkuara.

Sipas autoriteteve amerikane, Hoxha u lokalizua dhe u arrestua më 5 maj 2026 në Kettering, Ohio, nga Ekipi për Kapjen e të Arratisurve të Ohajos Jugore (SOFAST) i Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së, në bashkëpunim me ICE, INTERPOL Washington dhe Policinë e Kettering.

Historia e tij e arratisjes daton në vitin 1997. Më 30 mars të atij viti, në Patos të Fierit, Hoxha, në bashkëpunim me një person tjetër, vrau me armë zjarri dy vëllezër. Për këtë ngjarje, Gjykata e Fierit e dënoi në mungesë në vitin 2000 me 25 vite burgim.

Vetëm disa muaj më vonë, më 29 gusht 1997, Hoxha vrau në Bruksel gruan e tij 19-vjeçare. Për këtë vrasje, Gjykata e Apelit të Jurisë në Bruksel e dënoi në mungesë me burgim të përjetshëm në vitin 2010.

Por pavarësisht dy dënimeve, Hoxha arriti t’i shmangej drejtësisë për vite me radhë.

Sipas Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së, hetuesit zbuluan se pas largimit nga Belgjika, Hoxha kishte përdorur një identitet të rremë dhe kishte arritur të siguronte shtetësi në një tjetër vend europian me atë identitet. Më pas ai hyri në Shtetet e Bashkuara dhe mori statusin e rezidentit të përhershëm, ndërsa vazhdonte të fshihte identitetin e tij të vërtetë. Autoritetet amerikane përcaktuan se ai kishte jetuar vazhdimisht në SHBA që nga viti 2012.

Në identifikimin dhe ndjekjen e tij luajti një rol të rëndësishëm edhe Shërbimi i Sigurisë Diplomatike (DSS) i Departamentit Amerikan të Shtetit, përmes njësive të tij të hetimeve kriminale ndërkombëtare pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Operacioni, i koduar “Globe” nga autoritetet shqiptare, u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Interpol Tiranën, Interpol Washingtonin, Interpol Manchesterin, Interpol Brukselin, Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së, ICE dhe agjenci të tjera ligjzbatuese amerikane.

Hetimi zgjati rreth gjashtë vjet dhe ishte pikërisht puna e përbashkët ndërkombëtare ajo që bëri të mundur identifikimin e saktë të Hoxhës, pavarësisht viteve të përdorimit të identitetit të rremë. Shërbimi i Marshallëve e përshkruan arrestimin si përfundimin e një hetimi të gjatë të koordinuar nga INTERPOL Washington.

Sipas Ambasades Amerikane ne Tirane, mesazhi i autoriteteve amerikane është i qartë: përdorimi i sistemit amerikan të emigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të rënda të kryera jashtë Shteteve të Bashkuara nuk mund të garantojë një strehë të përhershme.

Pas arrestimit, autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se po bashkëpunojnë me homologët amerikanë për procedurat që do të mundësojnë kthimin e Hoxhës në Shqipëri, ku ai duhet të përballet me dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.

Sipas Ambasades Amerikane ne Tirane, rasti i Sokol Hoxhës është një tjetër shembull i forcës së bashkëpunimit ndërkombëtar kundër personave të kërkuar për krime të rënda. Për gati 30 vjet ai arriti t’u shmangej autoriteteve, por një identitet i rremë dhe vite të tëra fshehjeje nuk mjaftuan për ta mbajtur përgjithmonë larg drejtësisë.

Foto nga American Embassy of Tirana

Arikulli pregatitur nga ACTVUSA

 

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img