Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar pas zhvillimeve lidhur me emërimin e gjenerallejtënantit në pension Eric Wendt si ambasadori i ardhshëm amerikan në Shqipëri.
Përmes një reagimi zyrtar, ambasada ka mirëpritur ardhjen e Wendt në Tiranë, duke theksuar se ai do të angazhohet në mbështetje të prioriteteve të administratës së Presidentit Donald Trump në fushën e sigurisë, forcimit të NATO-s dhe marrëdhënieve ekonomike.
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Wendt është një gjenerallejtënant në pension i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, me më shumë se 34 vite shërbim ushtarak. Gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese në strukturat amerikane dhe të NATO-s, përfshirë drejtimin e Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s. Në këtë rol ai ka pasur edhe kontakt të drejtpërdrejtë me forcat dhe drejtuesit shqiptarë të mbrojtjes.
Gjatë dëshmisë së tij para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Wendt e cilësoi Shqipërinë një aleat të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Ai ka deklaruar gjithashtu se lufta kundër korrupsionit dhe mbështetja për institucionet e drejtësisë do të ishin ndër prioritetet e tij nëse do të merrte detyrën në Tiranë.
Emërimi i një diplomati me një profil të theksuar ushtarak dhe përvojë të gjatë në NATO vjen në një periudhë kur marrëdhëniet e sigurisë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbeten një nga shtyllat kryesore të partneritetit dypalësh.
Nga Tirana, Wendt pritet të përfaqësojë administratën Trump në një sërë çështjesh strategjike, duke përfshirë sigurinë rajonale, forcimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Foto nga US Embassy of Tirana
Artikulli pregstitur nga ACTVUSA


