Kruja rrethohet nga flakët, orë kritike për qytetin! Zjarri kërcënon banesat, evakuohen banorë dhe pacientë
KRUJË – Situatë alarmante në Krujë, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Abazajt dhe është përhapur me shpejtësi drejt zonave të banuara. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni i thepisur, kanë krijuar një situatë kritike për banorët.
Zjarri ka nisur gjatë pasdites dhe, sipas raportimeve nga terreni, flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave dhe bizneseve. Fillimisht u raportua se rreth 30–35 banesa ishin në rrezik, ndërsa banorët u përfshinë edhe vetë në përpjekjet për të penguar avancimin e flakëve. Në zonën e rrezikuar jetojnë qindra banorë.
Situata u përkeqësua me kalimin e orëve. Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në disa zona të prekura, ndërsa raportohet se dy banesa janë djegur. Disa qytetarë kanë refuzuar të largohen nga banesat e tyre, pavarësisht rrezikut.
Tre helikopterë në luftë me flakët
Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja nga toka është e komplikuar. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga Kruja, Kamza, Tirana dhe Vora, ndërsa tre helikopterë të Forcës Ajrore po kryejnë ndërhyrje nga ajri.
Ministri Ermal Nufi tha se zjarri në zonën e Abazajt është shkaktuar nga dora e njeriut dhe se strukturat po punojnë për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara.
Edhe spitali i Krujës në gatishmëri
Flakët janë afruar edhe pranë zonës ku ndodhet spitali i Krujës. Për sigurinë e pacientëve, ata janë evakuuar dhe spitali është mbajtur në gatishmëri për çdo situatë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me Forcat e Armatosura, zjarrfikësit dhe Policinë dhe të zbatojnë urdhrat për evakuim.
Rrezikohen banesa, biznese dhe zona turistike
Zjarri ka përfshirë shpatet e Malit të Krujës dhe ka krijuar një pamje dramatike, me flakët që shfaqen shumë pranë zonave të banuara. Në rrezik është edhe zona e njohur e Sarisalltikës, ndërsa pranë vatrave ndodhen edhe biznese.
Ndërkohë, në qytetin e Krujës është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike, ndërsa ekipet në terren vijojnë përpjekjet për të ndalur përhapjen e zjarrit.
Autoritetet po e konsiderojnë veçanërisht të vështirë për shkak të erës dhe terrenit malor. Operacioni nga toka dhe ajri po vijon, ndërsa banorëve u kërkohet të mos afrohen pranë zonave të përfshira nga flakët dhe të ndjekin udhëzimet për evakuim.
Kruja po përjeton një nga orët më të vështira të kësaj vale zjarresh, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë betejën për të mbrojtur banesat dhe jetën e banorëve.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


