Reagimi i kryeministrit Edi Rama pas polemikave për deklaratat e tij mbi “Bulevardin e Flamingove” nuk ka shërbyer për të ulur tensionet, por përkundrazi ka thelluar ndarjen mes qeverisë dhe protestuesve.
Në vend që t’u përgjigjej kërkesave konkrete të qytetarëve që prej javësh protestojnë përballë Kryeministrisë, Rama zgjodhi të përdorë një gjuhë metaforike, duke i ndarë protestuesit mes “flamingove”, nga të cilat thotë se ka marrë mësime, dhe “sorrave e korbave”, të cilët i përshkruan si “ana e errët e protestës”.
Ky klasifikim ka ngjallur debat, pasi shumë e kanë interpretuar si një përpjekje për të delegjitimuar një pjesë të qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese të protestës. Edhe pse Rama sqaron se nuk ua drejtonte të gjithë protestuesve këtë etiketim, përdorimi i termave të tillë vazhdon të ushqejë një retorikë përçarëse.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendje është deklarata e tij se nuk ka “asnjë kontratë” me protestuesit, por vetëm me “800 mijë shqiptarët” që, sipas tij, i kanë dhënë mandatin. Nga pikëpamja institucionale, një qeveri e zgjedhur përfaqëson të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë edhe ata që nuk e kanë votuar apo që kundërshtojnë politikat e saj. Për këtë arsye, kritikët argumentojnë se një kryeministër nuk mund të kufizojë përgjegjësinë e tij vetëm te votuesit që e kanë mbështetur.
Në reagimin e tij, Rama rithekson se nuk do të japë dorëheqjen dhe se protesta mund të vazhdojë deri në vitin 2029. Megjithatë, për kundërshtarët politikë dhe organizatorët e protestave, kjo deklaratë shihet si një refuzim për të adresuar shqetësimet që ata kanë ngritur, duke përfshirë kërkesën për përgjegjësi politike.
Kërkesa për dorëheqje mund të mos pranohet nga kryeministri dhe ai ka të drejtë ta mbrojë mandatin e tij politik. Por një gjë është e vështirë të mohohet: sa më shumë përdoren metafora dhe etiketime për qytetarët, aq më shumë krijohet përshtypja se pushteti po i sheh kritikët si kundërshtarë që duhen përçmuar, jo si qytetarë që duhen dëgjuar.
Për shumë protestues, reagimi i Ramës është një tjetër shenjë se ai nuk synon dialog, por përballje. Ata argumentojnë se, në vend që të reflektojë mbi arsyet pse mijëra njerëz vazhdojnë të dalin në rrugë, kryeministri zgjedh t’i minimizojë ose t’i etiketojë.
Në një demokraci funksionale, protesta dhe pushteti janë pjesë e të njëjtit mekanizëm demokratik. Ndërsa qeveria ka legjitimitetin që buron nga zgjedhjet, qytetarët kanë po aq legjitimitet të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes protestave pa u etiketuar apo ndarë në kategori.
Për këtë arsye, debati i hapur nga deklaratat për “Flamingot” tashmë nuk lidhet vetëm me metaforat e përdorura nga kryeministri. Ai është shndërruar në një diskutim më të gjerë mbi mënyrën se si pushteti komunikon me qytetarët që e kundërshtojnë dhe mbi rolin që duhet të ketë dialogu në një shoqëri demokratike.
REAGIMI I RAMES
“Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:
Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.
Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!
Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.
Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.
Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë.
Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike🇦🇱🤝🇪🇺“
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


