20.4 C
Sterling Heights
09/10/2026, 15:37
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Erion Braçe kundër hartës së re territoriale: “Pushteti vendor është pushteti i qytetarit”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetErion Braçe kundër hartës së re territoriale: “Pushteti vendor është pushteti i...

Deputeti socialist Erion Braçe ka kundërshtuar në Kuvend mënyrën se si po trajtohet reforma e re administrativo-territoriale, duke kërkuar që në qendër të saj të jetë qytetari dhe jo interesi politik.

Në fjalën e tij, Braçe u ndal te eksperienca e tij politike dhe marrëdhënia me qytetarët e zonave që ka përfaqësuar ndër vite, duke theksuar se pushteti vendor duhet të lidhet drejtpërdrejt me nevojat e qytetarëve dhe jo me llogaritë elektorale.

“Pushteti vendor është pushteti i qytetarit”, deklaroi ai, ndërsa kritikoi idenë që ndryshimi i hartës territoriale të shihet si një instrument për krijimin e avantazheve politike.

Sipas Braçes, harta territoriale e vitit 2014 ishte rezultat i një reforme që u shoqërua edhe me diskutime mbi ndikimin politik. Ai tha se ka dëgjuar në Kuvend argumentin se harta e re mund të krijojë mundësi politike dhe elektorale, duke shtuar se një qasje e tillë ka qenë e pranishme edhe në reformën e vitit 2014.

“Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por nga parimet”, u shpreh Braçe.

Ai kundërshtoi gjithashtu idenë se ndryshimi i hartës është thjesht një çështje administrative. Sipas tij, pas çdo ndryshimi të kufijve të njësive vendore qëndrojnë qytetarë që kanë ndërtuar jetën dhe planet e tyre në ato territore.

“Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë”, tha ai, duke ngritur shqetësimin se ndryshimet duhet të vlerësohen edhe për ndikimin që do të kenë te qytetarët.

Braçe solli në vëmendje edhe çështjen e kompetencave të bashkive dhe financimit të tyre. Duke iu drejtuar ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, ai argumentoi se shumë prej kompetencave të transferuara te pushteti vendor nuk janë shoqëruar me financim të mjaftueshëm.

Sipas tij, sot bashkitë kanë 46 kompetenca, të cilat në raste të ndryshme janë transferuar “pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm”.

Deputeti socialist kritikoi edhe mënyrën e trajtimit të reformës në nivel parlamentar, duke kërkuar që vendimmarrja të mbështetet në kritere të qarta ekonomike, financiare dhe territoriale, dhe jo në interesat e momentit.

Në këtë kuadër, Braçe tha se harta e re, e cila pritet të ndryshojë sërish në të ardhmen, nuk mund të konsiderohet një reformë e qëndrueshme nëse nuk mbështetet mbi parime të qarta dhe të zbatueshme njësoj në të gjithë territorin.

“Parimet janë shkelur, nuk janë zbatuar kudo njësoj në territorin e diktuar nga kjo hartë”, u shpreh ai.

Kundërshtimi i Braçes vjen nga brenda vetë mazhorancës, në një kohë kur reforma administrativo-territoriale po shoqërohet me debate të forta politike dhe parlamentare. Ai ka kërkuar që diskutimi të mos kufizohet te numri i bashkive apo kufijtë e tyre, por të përfshijë edhe mënyrën se si këto ndryshime do të ndikojnë te funksionimi real i pushtetit vendor dhe te qytetarët.

Në thelb, qëndrimi i tij është se një hartë e re nuk mund të justifikohet thjesht me interesin politik të momentit. Sipas Braçes, një reformë territoriale duhet të jetë e qëndrueshme, e financuar dhe e ndërtuar mbi parime që i shërbejnë qytetarit, jo llogarive elektorale.

Pjesë nga fjalimi

”U zgjodha deputet për herë të parë në Poliçan nga njerëz që jo vetëm që më votuan, por më strehuan dhe më mjekuan, kur njerëz që janë ende në këtë sallë më donin të humbur dhe të dështuar. Për 17 vite me radhë, njerëz të tjerë, edhe ata nga Poliçani, Berati e Kuçova, më dhanë besimin dhe nderin e pafund për t’i përfaqësuar në Kuvend. Më tej në Kavajë e me radhë.

Unë kam jetuar me këta njerëz dhe u jap mirënjohje. Kush mirënjohjen nuk e njeh, lidhjen me këta njerëz nuk e njeh. Nuk është as emocionale dhe as folklorike, është marrëdhënie njerëzore dhe kush nuk e ka, nuk e kupton kurrë. Me territorin, pushtetin në këtë vend janë bërë eksperimente pas eksperimentesh. Kam qenë në këtë Kuvend kur kryetar bashkie u bënë deputetë dhe i bënin të dyja këto.

Pushteti vendor është pushteti i qytetarit. Reforma që kemi përpara është një ligj që vizaton një hartë të re. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme dhe si reformë, tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar disa herë, veçanërisht sot paradite, se harta është mundësia politike, më troç, votave që krijon. Kështu ishte edhe në vitin 2014. Më e keqja këtu është që këtu jemi edhe sot.

Edhe kjo hartë, që me gjasë do të ndryshojë, do të marrë fuqi në vitin 2031. Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë zbatuar kudo njësoj në territorin e diktuar nga kjo hartë dhe kjo u tha hapur dhe pa ndrojtje hiç. Ndryshojmë jetën e njerëzve me këtë hartë, jo kufijtë. Kaq me lehtësi e marrim ne këtë fakt? Ndryshimin e jetës së njerëzve që kanë bërë plane për jetën e tyre. Bie dakord me shënimin e një kolegu këtu që populli përfaqësohet nga sovraniteti i një deputeti i zgjedhur me votë.

Pra as në nivel grupi, as nivel profesional grupi siç komisionet parlamentare. Siç Komisioni i Ekonomisë, që kriteret që konfirmojnë këtë ligj janë me kritere ekonomikë dhe financiarë. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne në një vit. Po flas për kompetencat Arbër (Arbjan Mazniku). Dëgjova që i referohesh kompetencave të bashkisë, që ata nuk i kanë përmbushur. Kompetenca të pasakta. 46 kompetenca janë sot në bashki, këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm”.

Foto nga Google Images

Artikulli përgatitur nga ACTVUSA

 

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img