Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur sot në takim klubin e futsallit Prishtina 01, në krye me presidentin e klubit Bledion Bryma. I pranishëm ishte edhe drejtori për sport në komunën e Prishtinës Granit Rugova.
I pari i FFK-së e vlerësoi lart suksesin që Prishtina 01 arriti së fundmi duke u kualifikuar në “Elite Round” në Ligën e Kampionëve, e po ashtu u ofroi përkrahje dhe u dëshiroi suksese në organizimin e këtij kompeticioni në vendin tonë.
“Ky sukses nuk arrihet lehtë, pasi që është një garë e nivelit të lartë.
Fatmirësisht ne kemi pasur mundësi të marrim në organizim këtë garë, e kjo e ka përparësinë e vet, pasi që jemi në shtëpi dhe kjo e bënë më të lehtë punën tuaj. Ju keni bërë hapin e parë shumë të rëndësishëm, por tani ju duhet përkushtim shumë më i madh”, tha Ademi.
Në anën tjetër, presidenti i FC Prishtina 01, Bledion Bryma falënderoi presidentin Ademi për mirëpritjen. Ai e konsideroi historik suksesin e klubit të tij, derisa falënderoi FFK-në për përkrahjen.
“Për ne si Prishtinë, si klub është arritje historike. Mënyra si kemi arritur deri këtu ka qenë shumë pozitive, pasi kemi kaluar dy grupe pa asnjë humbje, e me vetëm me 4 gola të pësuar.
Për ne është një moment me të vërtet historik, ashtu siç është edhe organizimi i ‘Elite Round’ në Kosovë. Ne kemi filluar punën për organizim dhe shpresoj se gjithçka do të shkoj mirë”, tha Bryma.
Derisa drejtori për sport në komunën e Prishtinës Granit Rugova u shpreh i lumtur për këtë arritje të FC Prishtina 01. Ai rezultatet e këtij ekipi i konsideroi suksese të qytetit të Prishtinës, Kosovës, FFK-së dhe gjithë komunitetit të sportit.


