Kryetari i Partise Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si është trajtuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë paraqitjes së fundit në gjykatë.
Në deklaratën e tij, Berisha e cilëson paraqitjen e Metës në një kafaz xhami si një akt “çnjerëzor dhe brutal”, duke e krahasuar atë me praktikat e gjyqeve politike të periudhës së Enver Hoxha. Ai shprehet se një trajtim i tillë nuk është i justifikuar, duke theksuar se ndaj Metës nuk ekzistojnë prova të faktuara për vepra penale.
Sipas Berishës, ky veprim është i urdhëruar drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama dhe përbën një akt hakmarrjeje politike ndaj një prej figurave kryesore të opozitës në vend. Ai shton se rasti i Metës nuk është i izoluar, por pjesë e një qasjeje më të gjerë ndaj kundërshtarëve politikë.
Në deklaratë rikujtohet edhe arrestimi i Metës në tetor të vitit 2024, për të cilin pretendohet se është kryer pa paraqitjen e një urdhër-arresti dhe me përdorim force nga ana e policisë. Berisha pretendon se gjatë periudhës së paraburgimit, Meta ka qenë subjekt i presioneve të vazhdueshme psikologjike dhe, në disa raste, edhe fizike, si dhe i janë shkelur të drejtat themelore.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka dënuar këto veprime, duke i cilësuar si antikushtetuese dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Metës nga paraburgimi. Gjithashtu, kjo forcë politike i ka bërë thirrje Këshilli i Europës dhe Komitetit për Parandalimin e Torturës që të ndërhyjnë me urgjencë për të verifikuar situatën.
Deklarata e Berishës përmban akuza të forta politike ndaj kryeministrit Rama, të cilin e akuzon për cenim të pluralizmit politik dhe përdorim të institucioneve shtetërore për qëllime politike.
Ndërkohë, lidhur me këto pretendime nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga ana e qeverisë ose institucioneve përkatëse.
JA DEKLARATA E BERISHES
“Trajtimi çnjerëzor i kryetarit të PL, Ilir Meta, akt i hakmarrjes primitive të Edi Ramës.
Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i parlamentit dhe ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, Partisë së Lirisë, i burgosur politik, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për një vepër penale të çdo natyre qoftë ajo.
Ky akt çnjerëzor brutal, i urdhëruar direkt nga Edi Rama, riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve politike staliniste të Enver Hoxhës, babait shpirtëror të Edi Ramës, dhe skulptorit xhelat, Kristaq Rama, babait biologjik të Edi Ramës.
Ky akt hakmarrës i verbër nuk është një qëndrim i rastit dhe as i izoluar ndaj ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, zotit Ilir Meta.
Në tetor të vitit 2024, me urdhër direkt të Edi Ramës, Ilir Meta u arrestua nën filmim, tek hynte në Tiranë, nga policia pa i paraqitur asnjë fletë arresti.
Ai u nxor me forcë në rrugë nga makina me të cilën udhëtonte nën mbrojtjen e Gardës së Republikës, u tërhoq zvarrë dhe u godit para kamerave nga policë të porositur për aktin e tyre dhe si person nën hetim u dërgua në burg.
Gjatë këtyre 17 muajve në burg, si person nën hetim dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj Ilir Metës, është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik.
Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme.
I janë dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare.
Partia Demokratike denoncon dhe dënon me forcën më të madhe arrestimin, paraburgimin, qëndrimet çnjerëzore në burg dhe në sallën e gjyqit, të urdhëruara direkt nga Edi Rama, bastardi i bllokmenëve hoxhistë ndaj kryetarit të PL, Ilir Meta dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.
PD i bën thirrje Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës të ndërhyjë me urgjencë ndaj akteve të hakmarrjes primitive antikushtetuese ndaj Ilir Metës të Edi Ramës, armik i egër i pluralizmit politik dhe Ramaduro i parë dhe i vetëm në Europë.”
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


