New York – Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ishte ndër personazhet më të komentuara të mbrëmjes madhështore Met Gala 2025, e cila u mbajt më 5 maj në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Këngëtarja mahniti publikun me një veshje të personalizuar nga shtëpia e modës Chanel, që përfaqësonte në mënyrë perfekte temën e këtij viti: “Tailored for You” (Qepur për Ty).
Fustani i saj përbëhej nga një pjesë e hapur në shpinë me shifon të lehtë, e kombinuar me një xhaketë të zezë me shkëlqim prej tweed dhe një pelerinë prej organze, të gjitha të zbukuruara me pupla, perla dhe kristale. Ky kryevepër mode kërkoi plot 2,000 orë punë për t’u realizuar dhe përmbante mbi 45,000 elementë të qëndisur me dorë – një dëshmi e mjeshtërisë dhe elegancës që Chanel përfaqëson.

Dua Lipa gjithashtu bëri debutimin e saj në tapetin e kuq së bashku me të fejuarin e saj, aktorin britanik Callum Turner, duke konfirmuar zyrtarisht lidhjen e tyre pas muajsh spekulimesh.
Met Gala 2025 shërbeu si hapja zyrtare e ekspozitës pranverore të Institutit të Kostumeve, me titull “Superfine: Tailoring Black Style”, e frymëzuar nga libri i Monica L. Miller Slaves to Fashion. Ekspozita nderon stilistët afrikano-amerikanë dhe ndikimin e tyre historik në modë, veçanërisht përmes stilit “Black dandyism”.
Me paraqitjen e saj, Dua Lipa jo vetëm që konfirmoi statusin e saj si ikonë mode, por edhe si një ambasadore krenare e artit dhe elegancës bashkëkohore.
Foto nga InStyle