Votuesit republikanë të Miçiganit zgjodhën këtë të martë kandidatin e tyre për guvernator, duke i dhënë fitoren kongresmenit John James në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane.
Sipas projeksioneve të publikuara pas mbylljes së votimit nga Associated Press, James arriti të mposhtë biznesmenin Perry Johnson, ish-Prokurorin e Përgjithshëm Mike Cox dhe liderin republikan të Senatit të Miçiganit, Aric Nesbitt, duke siguruar nominimin në një nga garat më të rëndësishme politike të vitit në shtet. Fitorja e tij erdhi pas një fushate intensive dhe me mbështetjen publike të Presidentit Donald Trump.
Me përfundimin e zgjedhjeve paraprake, tashmë është zyrtarizuar përballja për zgjedhjet e përgjithshme të 3 nëntorit. Kandidatja demokrate, Sekretarja e Shtetit Jocelyn Benson, do të sfidojë republikanin John James në garën për të pasuar guvernatoren Gretchen Whitmer, e cila nuk mund të rikandidojë për shkak të kufizimit të mandateve. Në garë si kandidat i pavarur është edhe ish-kryetari i Bashkisë së Detroitit, Mike Duggan, duke e bërë këtë një garë me tre kandidatë kryesorë.
Analistët politikë e konsiderojnë përballjen Benson–James si një nga garat më të rëndësishme në SHBA këtë vit. Miçigani është një shtet kyç në zgjedhjet amerikane dhe rezultati i nëntorit pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në balancën politike kombëtare.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


