16.8 C
Sterling Heights
18/05/2024, 7:53
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Kosova pëson rënie për 19 vende, Qeveria fajësohet për mungesën e lirisë së shtypit

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetKosova pëson rënie për 19 vende, Qeveria fajësohet për mungesën e lirisë...

Në raportin që është publikuar të premten nga organizata “Reporterët pa Kufij” thuhet se liria e shtypit në Kosovë është e kërcënuar nga politika. Qasja e Qeverisë karshi mediave është kritikuar nga përfaqësues të organizatave që avokojnë për gazetarët dhe mediat. E në Qeveri premtojnë të punojnë në ndryshimin e “peizazhit” mediatik, por kritikojnë raportin që, sipas saj, fokusin e ka vënë edhe në dy aspekte që kanë të bëjnë me Serbinë – njëri për sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës dhe tjetri për njërin nga televizionet që në Kosovë është regjistruar me dokumente të Serbisë

Shqetësuese është vlerësuar rënia e Kosovës për 19 pozita në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij”. Nga vendi i 56-të, ku pozicionohej vitin e kaluar, sivjet Kosova është renditur si e 75-ta.

Në raportin që vlerëson situatën në 180 vende, e që është publikuar në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, thuhet se liria e shtypit në Kosovë është e kërcënuar nga politika.

“Edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objektiva të sulmeve politike. Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) po përpiqet ta reformojë veten. Kanali televiziv, Klan Kosova, u është nënshtruar ngacmimeve administrative nga Qeveria, e cila gjithashtu kishte kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik RTK me zgjedhjen e një aleati të ngushtë të partisë në pushtet, si drejtor”, thuhet në raport.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se ky regres i Kosovës duhet të jetë alarm për Qeverinë.

“Kjo renditje mund të mos jetë befasi për komitetin e gazetarëve dhe mediave në Kosovë për shkak të asaj që kemi përjetuar në vitet e fundit, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në format e ndryshme në këtë dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës dhe veçanërisht për Qeverinë e Kosovës. Është absolutisht në dorë të qeverisë që ta përmirësojë këtë renditje, mes tjerash, për shembull duke mos e çuar në miratim përfundimtar Ligjin e ri të KPM-së, por duke u angazhuar në një bashkëbisedim serioz dhe gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara me shoqërinë civile”, ka thënë Rexha.

“Me këtë qasje që ka Qeveria, që ka pasur deri tash, në fakt përpjekja për ta minuar besimin e mediave në publik e ka vështirësuar punën e gazetarëve. Kjo qasje e Qeverisë dhe jo vetëm e Qeverisë e ka sjellë situatën që gazetarët dhe gazetaret në terren të jenë cak i lehtë i sulmeve, pengimit të punës së tyre, për shkak se qasja e Qeverisë dhe veprimet e saj pastaj shoqërohen edhe me reagimet në masë të madhe nga ushtria e militantëve ose edhe ushtria digjitale në rrjete sociale e cila e ndërton narrativen se mediat dhe gazetarët janë armiqtë kryesorë dhe gjithmonë janë fajtorë për çfarëdo që ndodh keq në Kosovë”, ka thënë Mushkolaj.

Për vlerësimin e fundit ndërkombëtar, Qeveria ka reaguar nëpërmjet zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu. Ai ka thënë se në këtë renditje kanë ndikuar dy situata, duke mos përmendur kritikat për RTK “E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: ‘sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit’. E dyta, denoncimi publik që Klan Kosova sh.p.k është regjistruar në Kosovë me dokumente të Serbisë dhe llogaridhënia ligjore që i është kërkuar nga institucionet e vendit si pasojë, të cilin raporti e paska përshkruar si në vijim: ‘Klan Kosova ka qenë subjekt i ngacmimeve administrative (en. administrative harassment) nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e udhëhequr prej tij është e gatshme t’i adresojë shqetësimet e mediave për të punuar drejt një peizazhi më transparent.

“Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, ne duam të pranojmë përpjekjen që duhet për të ndriçuar të vërtetën në një kohë dezinformimi të madh që përdoret si armë. Qeveria jonë është e hapur dhe e gatshme të adresojë shqetësimet e mediave dhe të punojë drejt një peizazhi më transparent dhe pluralist”, ka shkruar ai në platformën “X”.

Gjatë vitit, Qeveria është kritikuar edhe për nismën ligjore, nëpërmjet së cilës synon që në mandatin e KPM-së ta përfshijë edhe mbikëqyrjen e mediave online që prodhojnë përmbajtje audiovizuale.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka komentuar Indeksin e Lirisë së Shtypit të publikuar nga “Reporterët pa Kufij”, në të cilin Kosova pësoi rënie për 19 vende. Por, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ajo ka thënë se beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente. Osmani ka bërë thirrje që luftën për mbrojtje të së vërtetës duhet ta bëjnë të gjithë bashkë, institucionet, gazetarët e shoqëria civile.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi. Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente”, ka shkruar ajo.

Pas publikimit të indeksit të “Reporterëve pa Kufij” ka reaguar kryetari i  Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se është shqetësuese tendenca e pushtetit për kontroll ndaj mediave.

E deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se lufta e pushtetit ndaj medias është programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptuese të Qeverisë.

E analisti Arbnor Sadiku e ka lënë fajtore Qeverinë për regresin e lirisë së mediave në Kosovë, duke thënë se ka bërë veprime taktike të gabuara.  Sadiku ka deklaruar se Qeveria nuk e ka parë median si bashkëpunuese, por si konkurrente.

“Raporti do të thotë në një gjuhë tjetër që i mohohet e drejta e qytetarëve për raportim të drejtë, ku përfshihet politika ditore në raportim. Rënia kaq drastike është faturë bukur e rëndë për Kosovën. Kjo rënie është faj i Qeverisë pasi ka bërë disa veprime taktike të gabuara, sepse s’ka bashkëpunuar me median, por i ka parë si konkurrente. Bashkëpunimi me median i shërben Qeverisë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Analisti e ka cilësuar alarmante faktin që ministrat nuk shkojnë nëpër shumicën e televizioneve. Ka thënë se ndoshta kjo ka ardhur si pasojë e mospërvojës.

“Raporti ka ndikuar negativisht në aspektin e bashkëpunimit, pluralizmit politik. Nuk mund të sillesh me arrogancë nëse je në pushtet karshi një media që e ka politikën redaktoriale kundër. Qeveria duhet të jetë më tolerante”, ka shtuar ai.

Sadiku ka theksuar se nëse e fiton mandatin e dytë, Kurti të jetë më bashkëpunues dhe më prezent në media.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img