Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, është paraqitur mesditën e kësaj të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka dhënë dëshmi për rreth katër orë.
Pas daljes nga SPAK, Kumbaro bëri një deklaratë të shkurtër për mediat, duke sqaruar se ishte thirrur në cilësinë e një personi që ka dijeni për një çështje që lidhet me stadiumin “Arena Kombëtare”. Ajo nuk dha detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e dëshmisë, duke theksuar se bashkëpunimi me organet e drejtësisë është i plotë dhe në përputhje me ligjin.
Deri në këtë fazë, nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK mbi natyrën konkrete të hetimit apo nëse ka persona nën hetim për këtë çështje. Thirrja e zyrtarëve në cilësinë e personave që kanë dijeni është një praktikë e zakonshme gjatë procedurave hetimore, për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të ndryshme.
Stadiumi “Arena Kombëtare” ka qenë shpesh në qendër të diskutimeve publike dhe politike që prej ndërtimit të tij, për shkak të kostove, procedurave dhe mënyrës së realizimit të projektit.
Hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo çështje do të marrë zhvillime të tjera në ditët në vijim.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


