Do të luhet këtë fundjavë java e katërt e kampionatit ‘Abissnet Superiore’ për vajza.
Të pesta sfidat e kësaj jave do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën, teksa spikat pa dyshim derbi kryeqytetas Partizani – Tirana.
Kjo ndeshje e rëndësishme është planifikuar të luhet të shtunën në ora 14:00, në stadiumin ‘Arena e Demave’.
Sakaq, të shtunën do të luhen edhe dy sfida të tjera. Vllaznia pret në shtëpi ekipin e Lushnjes, një ndeshje e lehtë në letër për kampionet në fuqi të vendit. Takimi është planifikuar të nisë në ora 14:30.
Nga ana tjetër, po të shtunën do të zhvillohet edhe sfida Laçi – Teuta. Laçjanet do të kërkojnë fitoren e parë në këtë sezon futbollistik, ndërsa bregdetaret vijnë në këtë sfidë pas fitores së marrë javën e kaluar ndaj Lushnjes. Ndeshja është programuar të nisë në ora 14:00.
Të dielën do të luhen edhe dy takimet e tjera të javës së katërt. Kinostudio do të udhëtojë drejt Fierit për përballjen e radhës ndaj Apolonisë. Kryeqytetaset e kanë nisur më së miri këtë sezon, duke mos pësuar asnjë humbje, ndërsa fieraket u mposhtën javën e fundit nga Tirana në ‘Selman Stermasi’ dhe do të kërkojnë kthesën në këtë sfidë.
Ndeshja është planifikuar të luhet në stadiumin ‘Loni Papuçiu’ në Fier në ora 12:00.
Takimi i fundit i kësaj jave është ai mes Gramshit e Skënderbeut, që do të luhet në Gramsh duke nisur nga ora 14:00.
Vllaznia – Lushnja, e shtunë, ora 14:30
Apolonia – Kinostudio, e diel, ora 12:00
Gramshi – Skënderbeu, e diel, ora 14:00
/BotaSot/


