Protesta kundër Reformës Administrativo-Territoriale është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, ndërsa brenda Kuvendit po zhvillohej seanca plenare ku diskutohet projektligji për hartën e re territoriale.
Gjatë protestës, protestuesit janë përplasur me kordonin e policisë, ndërsa efektivët kanë përdorur spraj piperi për të shpërndarë turmën. Raportimet nga terreni flasin për disa persona të lënduar, ndërsa një qytetar është transportuar me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Policia ka shoqëruar 8 persona në Komisariatin nr. 1 pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës. Përplasjet kanë ndodhur në disa momente të ndryshme, me shtyrje mes protestuesve dhe efektivëve.
Protesta zhvillohet kundër projektligjit të propozuar nga mazhoranca, i cili parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Kundërshtarët e reformës argumentojnë se bashkimi i disa njësive vendore rrezikon të dobësojë shërbimet për komunitetet jashtë qendrave urbane dhe të thellojë problemet e shpopullimit.
Ndërkohë, situata para Kuvendit mbetet e tensionuar, ndërsa debati për hartën e re territoriale vijon brenda sallës së Parlamentit.
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


