Cristiano Ronaldo dëshironte t’i bashkohej Arsenalit në merkaton e janarit, dhe do ta ndihmonte skuadrën londineze për ta fituar titullin e Premier Ligës, sipas gazetarit të njohur Piers Morgan.
Superylli portugez ishte lojtar i lirë kur Manchester United i shkëputi kontratën në muajin dhjetor të vitit 2022, pas një interviste bombastike me Piers Morgan.
Skuadra të ndryshme ishin të interesuara për pesë herë fituesin e Topit të Artë asokohe, nga e gjithë Evropa e deri në Shtetet e Bashkuara, por ai përfundoi duke nënshkruar kontratën më fitimprurëse në historinë e futbollit me skuadrën nga Arabia Saudite, Al-Nassr.
“Nëse Arsenali do të nënshkruante me Ronaldon kur ai u largua nga United, deri në fund të këtij sezoni, ashtu siç kishte dëshirë ai (Ronaldo), Arsenali do të fitonte ligën. Ai e di se si fitohen trofetë e mëdhenj, dhe se si shënohen golat kur me të vërtetë nevojiten”, tha Morgan në “Twitter”.


