Klubi i Futsalli, Prishtina 01 ka arritur edhe një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare duke u kualifikuar në fazën e Elite Raund të Ligës së Kampionëve.
Kampioni i Kosovës do të përballet me dy ish-kampionët e Ligës së Kampionëve në futsall, Benfica dhe Kairat, dhe sllovenët e Dobovec, 6 herë kampion në Slloveni.
Për ta arritur këtë sukses, trajneri Haki Ahmeti thotë se kaluan nëpër një rrugë të vështirë, por shprehet optimist se skuadra do të bëjë mirë edhe në fazën e grupeve.
Ahmeti: Besoj në sukses edhe në fazën e grupeve
“Kjo arritje në Ligën e Kampionëve padyshim ka qenë shumë e vështirë, madje për disa edhe e pa mundur, mirëpo dëshira dhe pasioni për punë gjithçka është më lehtë duke pasur parasysh grupin e lojtarëve të cilin e kemi në ekip… Siç kemi pasur besim te skuadra, prapë vazhdoj të kem besim edhe në fazën e Elite Raund të cilët i falënderoj të gjithë lojtarët për maksimumin e dhënë ndaj këtyre ndeshjeve”, tha Ahmeti.
Duke folur për KosovaPress, Ahmeti deklaroi se niveli i ngritur i Superligës së Kosovës po bën që skuadra të ketë paraqitje të mira dhe kualitative edhe në garat evropiane.
“Niveli i futsallit të Kosovës është mjaftë i mirë, mjaftë i lartë. Kemi ekipe shumë të mira në Superligën e futsallit të Kosovës me të cilët kemi zhvilluar edhe ndeshje mjaftë të mira. Po të mos ishte Superliga e Futsallit të Kosovës në nivel sikur ato të Evropës, për ne do të ishte shumë më vështirë për të arritur deri në këtë fazë të Ligës së Kampionëve ku kemi arritur deri më tani”, ka thënë Ahmeti më tutje.
Sipas Ahmetit, përballja me ekipe të forta në fazën e Elite Raund do të ndihmojë në rrjet e skuadrës, e po ashtu edhe në imazhin e futsallit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.


